Arkitekti dhe piktori i njohur vuante nga anemia
Pas disa ditësh që ishte shtruar në spital, arkitekti dhe piktori i njohur Maks Velo ka ndërruar jetë në QSUT. Mjeket thanë për Tv Klan se 84-vjeçari u trajtua në repartin e hematologjisë dhe nuk arriti t’i përballojë komplikacionet e sëmundjes.
Ai lindi në Paris më 31 Gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri në qytetin e Korçës, ku kaloi edhe fëmijërinë.
Pas studimeve në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit, Maks Velo u specializua për arkitekturë dhe në vitin 1960 mori pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë.
Në vitin 1978, Maks Velo u arrestua dhe u dënua me dhjetë vjet burg për agjitacion dhe propagandë, dënim të cilin e vuajti në Spaç.
Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, dhe poezi.
Pas viteve ‘90, Maks Velo ka qenë një zë i angazhuar në shumë debate publike, ndërsa nuk ka ngurruar të rrëfejë detaje nga dënimi dhe persekutimi gjatë regjimit komunist.
Tv Klan