Të paktën 40 emigrantë u transportuan drejt Doverit orët e para të mëngjesit këtë të martë, pasi u kapën në tentativë për të kaluar në Kanalin Britanik.
Sipas asaj që shkruan DailyMail, emigrantët e ndërmorën udhëtimin e tyre në kushte të vështira atmosferike, në të paktën tre varka të vogla. Megjithatë tentativa e tyre u ndërpre pasi u interceptuan nga patrullat britanike dhe ato franceze në brigjet e Kent.
Incidenti vjen 2 javë pasi rreth 80 emigrantë që udhëtonin me 5 varka u kapën pasi kaluan Kanalin Britanik. Emigrantët e ndaluar këtë të martë besohet se janë me kombësi nga Iraku, Afganistani, Irani dhe Siria.
Vetëm këtë vit, numri i emigrantëve të jashtëligjshëm që kanë arritur në brigjet britanike përllogaritet të jetë rreth 1 700. Sipas të përditshmes britanike, kriza e emigrantëve në këtë shtet shpërtheu vitin e shkuar, ku vetëm në muajt Nëntor dhe Dhjetor të 2018-s, në Britani u futën me qindra persona.
Megjithatë, ky problem u përkeqësua në 2019. Në Gusht, Kryeministri Boris Johnson paralajmëroi se Britania e Madhe do t’i kthejë mbrapsht emigrantët që kalojnë ilegalisht nëpërmjet Kanalit./tvklan.al