Denisa dhe Valentina ishin protagonistet e puntatës së 12 Qershorit 2022 në “Shihemi në Gjyq”. Asokohe nënë e bijë erdhën në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për një problem të madh: humbja e bashkëshortit të Denisës e kishte lënë këtë të fundit pa përkrahje dhe me dy fëmijë të sëmurë.
Paratë e papaguara të funeralit të tij kishin bllokuar dokumentacionin për të marrë pensionin e invaliditetit.
Nënë e bijë kishin gjithashtu pretendime për motrën e të ndjerit duke thënë se kishte shitur shtëpinë.
Pas dy vitesh, të gjitha këto janë sheshuar falë ndihmës së shumë njerëzve por edhe të vetë kunatës së Denisës. Vetëm një premtim është ende në pritje të realizimit.
Eni Çobani: E bëmë atë emision në qershor të vitit ’22. Jemi sot në Korrik 2024.
Ardit Gjebrea: Tani, çfarë ndodhi zonja Eni?
Eni Çobani: Nuk kishe këto pretendime e dashur Vali, por insertin e panë të tërë shqiptarët. Ke ardhur njëherë sepse shtëpia funerale e nderuar, nuk të jepte dokumentin sepse nuk kishe paguar varrimin e dhëndrit dhe babait të atyre fëmijëve. Faleminderit asaj shqiptareje të madhe që brenda natës së parë të dhënies së emisionit ka sjellë pjesën e parave 1 milionë e gjysmë për këtë vajzë, pikërisht për të përfunduar dokumentet. Unë e falënderoj publikisht atë grua zonjë, atë zonjë e cila u prek si të gjithë shqiptarët, por pati edhe mundësinë ekonomike dhe çuar brenda natës një mesazh dhe më ka thënë “zonja Eni, ju lutem një numër llogarie, pagesën e atij funerali do ta bëj unë”.
Nënë e bijë: Faleminderit shumë!
Ardit Gjebrea: Pastaj?
Eni Çobani: Në 3 prill 2024, me zonjën të cilën unë i kam premtuar dhe me leje të saj nuk do t’ia përmend emrin, në fakt kisha shumë dëshirë t’ia përmendja emrin. Është halla e fëmijëve. Pavarësisht që zonja Vali ka pretendimet e saj, gjithashtu edhe Denisa, zonja në momentin që pa që ne filluam një proces gjyqësor, është paraqitur në zyrën time dhe tha “jo, unë në gjyq me Denisën nuk shkoj, urdhëro 5 milionë lekë dhe jepja Denisës”, pjesën për të cilën i takonte nga bashkëshorti i saj. Pra, me këtë marrëveshje, kjo zonjë ka firmosur përfundimisht atë pjesë që Denisës me fëmijët i takonin nga ish-bashkëshorti i ndjerë sot dhe babai i fëmijëve. Pra, dy problematika shumë të mëdha. Mos harroni, muaj të tërë në numrin e llogarisë së Denisës të dashur që kemi këtu, shqiptarët kanë çuar shuma parash të jashtëzakonshme ku falë atyre parave zonja ka bërë terapi për fëmijën, e ka çuar edhe në zonat që i duhej të plazhit, pikërisht me këto para të shqiptarëve dhe unë ju them faleminderit për ndihmën e jashtëzakonshme që shqiptarët kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin, por në fakt ne kemi marrë përsipër dhe i kemi premtuar Denisës edhe një gjë: një çati. Një çati për ata dy fëmijë të mrekullueshëm, një çati për këtë nënë që çfarëdo t’i japim, edhe shpirtin t’i japim, ajo do të jetë nëna e atyre dy fëmijëve me probleme derisa të mbyllë sytë. Denisa ka nevojë tërë jetën e saj për ato fëmijë dhe kush mendon për këtë nënë, do ta shikojë Zoti dhe jeta e tij do të bëhet akoma dhe më e bukur. Prandaj, ta hapim zemrën, kush ka mundësi sërish bëj një thirrje sot si një zonjë që e njeh nga afër situatën e Denisës, për ta ndihmuar me të gjitha ato që kemi mundësi, edhe me pak, edhe me shumë për t’i bërë Denisës vetëm një shtëpi. Denisa kërkon vetëm një shtëpi.
Denisa dhe Valentina shtojnë se ndihmë të pakursyer kanë patur edhe nga Alfred Muharremi, një djalë që u ka zgjatur dorën e është kthyer në një mik për to, si dhe për Halit Valterin, një punonjës bashkie që siguroi karrocën me rrota të djalit pasi të mëparshmen ua vodhën. /tvklan.al