Ndryshimet e shumta në organikën e kombëtares prishin planet e Sylvinhos. Braziliani duhet që në orët e ardhshme të përcaktojë edhe futbollistët që do të hidhen në fushë në dy sfidat finale në grupin B1 të Ligës së Kombeve.

Kapiteni Berat Gjimshiti ka munguar në këtë edicion për arsyeje dëmtimi, duke mos lëkundur balancat. Gjithsesi prezenca e qendërmbrojtësit do të ishte thelbësore për pjesën tjetër të skuadrës, pasi eksperienca do ndihmonte në përballimin e peshës së sfidave me Republikën Çeke dhe Ukrainën.

Edhe Marash Kumbulla është një vlerë e humbur për kuqezinjtë. Mbrojtësi ndalet në kulmin e formës fizike me Espanjolin dhe humbet sërish mundësinë për tu veshur kuqezi. Boshllëk që plotësohet nga dyshja, Adrian Bajrami dhe Jon Mersinaj, por që gjithsesi duke përjashtuar ndonjë befasi, gjasat janë që repartin e mesit të mbrojtjes ta formojnë dyshja Ismajli-Ajeti. Rey Manaj shtoi dhimbjet e kokës në repartin e sulmit.

Me katër gola këtë sezon, lushnjari konsiderohet si lojtari ideal në majën e sulmit. Boshllëk që u plotësua me thirrjen e Arbnor Mujës. Mirlind Daku do jetë një tjetër mungesë në ndeshjen ndaj çekëve për shkak të pezullimit, ndërsa rivaliteti për sulmuesin kryesor zhvillohet mes Indrit Tucit dhe Myrto Uzunit. Dilema që Sylvinho do ketë kohë për t’i shuar, për të vulosur më pas edhe lojtarët që do zbresin në fushë ndaj Çekisë dhe Ukrainës.

Klan News