Ëndrra për të shkruajtur historisë në futbollin Europian përfundoi që në fazën e grupeve për Kombëtaren Shqiptare. Vetëm një pikë në tre ndeshjet e “grupit të vdekjes”, atë B të kompeticionit, ku si rival, goglat na kishin përcaktuar skuadrat më në zë të momentit, kampionët në fuqi të kontinentit, Italinë, ish-kampionën e Europës dhe Botës, Spanjën, por edhe hirushen e kohëve të fundit në turnet ndërkombëtar, Kroacinë.
270 minuta të zjarrta për kuqezinjtë, që nën mbështetjen e madhe të lumit të tifozëve shqiptarë arritën të lënë një gjurmë të pashlyeshme në Europianin e dytë në histori. Dy rekorde të regjistruara nga futbollistët tanë, ku ai që do mbetet padyshim gjatë në memorie është ai me autor Nedim Bajramin, vetëm 23 sekonda pas fërshëllimës së parë kundër Italisë.
Sylvinho zgjodhi 26 futbollistë për këtë turne madhor, por vetëm 19 prej tyre gjetën minuta në fushën e lojës, pesë prej të cilëve luajtën çdo sekond të kësaj ëndrre vere. Boshti kuqezi u formua nga emra si Thomas Strakosha, garanci në portën tonë, duke neutralizuar shumë goditje të rivalëve e ku në fund u detyrua ta nxjerr topin nga fundi i rrjetës vetëm 5 herë.
Mbrojtja ishte dhe diga e punuar me detaje, çelsat e së cilës iu besuan 5 futbollistëve, Ajeti e Gjimshiti në qendër, Mitaj zbulimi i së ardhmes dhe rotacioni në të djathtën mes Hysaj e Balliu.
Ylli i mesit të fushës është padyshim, Kristjan Asllani, truri i skuadrës si në fazën difensive ashtu edhe në ofensivën, ku shpesh tentoi portën, por fati nuk ishte me të. Pikërisht nga ky repart mbërritën edhe të tre golat, që lanë në hije emrat “BIG” të sulmit, si Broja, që mori vetëm 110 minuta të shpërndara në dy ndeshje, apo edhe Jasir Asanin, snajperin që në 214 minutat e tij nuk ndezi aspak, përpos asistit tek goli i mesfushorit Laçi.
Europian që do të mbetet gjatë edhe në mendjen e mesfushorit Klaus Gjasula. Vetëm 19 minuta në fushë ndaj Kroacisë, shkruajti historinë, autogol e gol si zëvendësues, diçka që vështirë se mund të përsëritet.
Bilanc që na bën të ndihemi krenar për atë që djemtë dhanë në fushën e lojës, eksperiencë nga e cila kanë mësuar jo pak, për të na mbajtur entuaziastë për atë që do na dhurojnë sërish në fushën e lojës. Ëndërr që zgjati pak në fushë, por mjaftoi për tu gdhendur përgjithmonë në qënien e çdo shqiptari.
Klan News