Mazhoranca pranon kërkesat e opozitës së re dhe të enjten do të votojë jo vetëm shtyrjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore deri në 28 Nëntor, por dhe për një konfigurim të ri të tij. Komisioni i posaçëm do të jetë i përbërë nga 10 anëtarë, 5 përfaqësues nga Partia Socialiste dhe 5 të tjerë nga radhët e deputetëve të 2 grupeve të reja parlamentare.
Damian Gjiknuri, Blerina Gjylamenti, Bashkim Fino, Klodilda Ferhati dhe Alket Hysenaj nga shumica dhe Rudina Hajdari, Ralf Gjoni, Nimet Musai Andi Permeti, i cili ka pranuar të jetë anëtarë i partisë së re të Astrit Patozit, Bindja Demokratike, ndërsa emri i 5 ende nuk është depozituar në Kuvend dhe pritet të bëhet i njohur të enjten, kur dhe do të miratohen këto propozime të kreut të Grupit Parlamentar Socialist.
Ky Komision, veç rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it do të ketë si objekt të punës së tij dhe kërkesën e deputetëve të opozitës për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Për deputetin Ralf Gjoni ky hap është një fitore e opozitës së re .
“Jam mirënjohës që PS e tërhiqi draftin e fundit të saj të javës së kaluar dhe ne sot kemi qenë në bisedime me grupin demokrat dhe socialist për të hartuar një draft të pranueshëm sa i përket objektit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
Ne kemi kërkuar që objekti nga thjesht adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR të pasqyrojë një hapje të debatit mbarëkombëtar sa i përket ndryshimit të sistemit zgjedhor, sepse besojmë se baza e të këqijave janë ndryshimet e 2008. Kemi propozuar që ndryshimi i sistemit zgjedhor të futet në objekt të këtij Komisioni. Kam besim se do të biem dakord për ta ndryshuar këtë objekt dhe do isha i kënaqur që amendimi që ne kemi propozuar të futet nesër në parlament për votim”.
Por pavarësisht këtyre ndryshimeve, shumica i përmbahet propozimit për opozitën jashtë parlamentit. Ashtu siç propozoi Damian Gjiknuri në paketën e miratuar në parlament në fillim të Prillit, vendi i demokratëve në rolin e vëzhguesit në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore do të rri i lirë, në pritje që selia blu të pranojë të bëhet pjesë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, pavarësisht se lidershipi demokrat e ka refuzuar si mundësi.
Tv Klan