Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha të shtunën se dialogu është rruga thelbësore për zgjidhjen e problemeve mes serbëve dhe shqiptarëve, ndërsa kërkoi respektimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ai i bëri këto komente në Beograd gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Serbisë dhe Republikës Serbe, në atë që u quajt “Kuvendi gjithëserb”. Qeveritë miratuan një deklaratë për siç thuhet, mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmen e përbashkët të popullit serb.
“Kemi biseduar për Kosovën, për detyrimin për të respektuar rezolutën 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si pjesë e rendit ndërkombëtar, por kemi folur qartë edhe për dialogun si mënyrë thelbësore për zgjidhjen e problemit mes nesh dhe shqiptarëve. Nuk ka zgjidhje tjetër veç dialogut dhe këmbënguljes ndaj tij, respektimit të marrëveshjes së Brukselit, përmbushjes së detyrimeve, formimit të Asociacionit dhe gjithçka tjetër”, tha presidenti serb gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
Udhëheqësi nacionalist i serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik tha se Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, por edhe e Republikës Serbe, “e cila ka vlerat e saj, identitetin dhe gjithçka që është e rëndësishme për popullin serb, me rrënjët e saj historike në Kosovë. Prandaj është e jona gjithashtu”, tha Milorad Dodik.
Deklarata e miratuar nga dy qeveritë që ende nuk është bërë publike, pritet të miratohet brenda 90 ditësh në parlamentin e Serbisë dhe atë të entitetit serb në Bosnjë dhe sipas autoriteteve serbe, flet për çështjet në rajon, integrimet evropiane dhe ruajtjen e aleancave me vendet që e mbështesin Serbinë.
Presidenti Vuçiç tha se fjalët në deklaratë janë zgjedhur me kujdes ndërsa nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme për Republikën Serbe.
“Kurrë mos u shqetësoni për një gjë, Serbia do të jetë me popullin e saj sado e vështirë të jetë. Kjo në Kombet e Bashkuara ishte kaq e vështirë dhe e ndërlikuar, por ne vendosëm të luftonim. Unë kërkoj që të luftojmë për paqen, përparimin e ekonomisë sonë dhe të luftojmë për unitetin e popullit tonë sot dhe të mos lejojmë askënd ta shkatërrojë atë”, tha presidenti Vuçiç duke iu referuar rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë.
“Një pyetje tjetër për të cilën askush nuk ka dhënë përgjigje. A ka sjellë pajtim në Bosnje dhe Hercegovinë apo brenda rajonit? Jo. Disave u solli gëzim, të tjerëve zemërim dhe pastaj pyetja kryesore, pse e miratuat rezolutën? Që ne të përlesheshim me njëri-tjetrin dhe pastaj të vinin paqeruajtësit ndërkombëtarë dhe të na qortonin”, tha presidenti i Serbisë.
Me 23 maj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që përcakton 11 korrikun, ditë të përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjes vranë më shumë se 8,000 myslimanë boshnjakë në Srebrenicë.
Rezoluta e hartuar nga Gjermania dhe Ruanda, që u miratua mes kundërshtimit të ashpër nga serbët, dënon mohimin e gjenocidit, një gjë që vazhdimisht bëhet nga zyrtarët serbë si në Bosnje ashtu edhe në Serbi.
Si Serbia ashtu edhe serbët e Bosnjës kanë mohuar se ka ndodhur gjenocid në Srebrenicë edhe pse kjo është vërtetuar nga dy gjykata të OKB-së.
➡️ Усвојили смо заједничку декларацију и јасно смо поручили да српски национални интерес нема алтернативу. Исто тако и заштиту Срба ма гдје они живјели.
— Милорад Додик (@MiloradDodik) June 8, 2024
➡️ Hаша политика је одговорна према народу, историји, држави, афирмише Србију као земљу српског народа и тражи јединство… pic.twitter.com/7tjvYWupjI
Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik tha se serbët nuk janë popull gjenocidal.
“Kjo Rezolutë nuk na përket neve, në kuptimin që ne ta zbatojmë”, tha ai.
Republika Serbe, tha ai, ishte e kënaqur me autonominë që i ishte dhënë nga marrëveshja e Dejtonit, por sipas tij ajo u rrënua dhe u vu në pikëpyetje nga akrobaci të ndryshme.
Qeveria e Milorad Dodikut paralajmëroi pas miratimit të Rezolutës për Srebrenicën se do të propozojë ndarjen paqësore të Republikës Serbe, duke nxitur reagimin e ashpër të perëndimit që kërkon ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Bosnjës.
“Ne në Republikën Serbe besojmë se Bosnja dhe Hercegovina nuk mund të vazhdojë me shkeljet e Dejtonit dhe ndërhyrjen e huaj të përmasave të pamatshme. Është më mirë të jetojmë si fqinjë të mirë, me të drejtat tona, si subjekte politike dhe territoriale, sesa të jemi përherë duke u grindur”, tha ai, duke shtuar se entiteti i tij do ta kremtojë si ditë të tij 15 shkurtin që është dita e shtetësisë së Serbisë.
“Ne duam të themi fuqishëm se ne jemi pjesëtarë të një kombi dhe se ky është një përcaktim politik ligjor dhe legjitim”, tha ai.
“Kuvendi gjithserb” nga vëzhguesit po shihet si një përpjekje e politikanëve serbë si një rrugë për krijimin e të ashtuquajturës “Bota Serbe” – një kopje e idesë së “Botës Ruse”, që do të bashkonte të gjithë serbët në Ballkan nën një flamur./VOA