Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, paralajmëroi se më 15 Shkurt, kur në Serbi shënohet përvjetori i kryengritjes së parë serbe kundër Perandorisë Osmane, do të shpallë deklaratën për Vojvodinën.

Kjo nismë e Vuçiç vjen në kohën kur Serbia vazhdon të mbetet e paralizuar nga protestat e studentëve dhe qytetarëve, të cilët kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë e Novi Sadit që mori 15 viktima.

Ai duke drejtuar akuza në adresë të, siç tha, fuqive të huaja, gjatë një tubimi në rajonin e Banatit, tha se Serbia po sulmohet nga brenda dhe jashtë, kurse sipas tij, tani po targetohet Vojvodina.

“Duan ta shkëpusin Vojvodinën nga Serbia. Forcat e huaja përpiqen ta shfrytëzojnë pakënaqësinë nga tragjedia e Novi Sad-it dhe nga jashtë i inkurajojnë të rinjtë të flasin në gjuhën e Vojvodinës, të kërkojnë më shumë autonomi. Për këtë shkak do t’iu ftoj në një miting të madh në veri të Serbisë, në Vojvodinë, brenda 6 ose 7 ditëve për të thënë se Vojvodina ka qenë është dhe do të mbetet Serbi”, tha Aleksandër Vuçiç.   

Vojvodina ka statusin e rajonit autonom kurse kryeqytet i saj është Novi Sadi. Me sipërfaqe prej rreth 20.000 metër katror paraqet vendin e mbi 20 grupeve etnike; serbë, hungarezë, kroatë, bullgarë e të tjerë.

Pas formimit të Jugosllavisë në vitin 1945 u bë rajon autonom në kuadër të Serbisë.

Autonomia iu hoq në vitin 1989 nga Sllobodan Miloshevç dhe u ripërtri pas rënies së tij nga pushteti më 5 Tetor 2000.

Një nga shkaqet e pakënaqësive ndaj politikave të Vuçiç, qytetarë të Vojvodinë potencojnë se pushteti aktual ridestinon mjete të mëdha ekonomike nga ky rajon I zhvilluar për t`i transferuar në rajonet më pak të zhvilluara sikurse në Serbinë Lindore dhe Jugore.

Klan News