Përditësimi i fundit i Instagram-it do të lejojë përdoruesit që të shtojnë deri në 20 foto në kolazhet fotografike. Në vitin 2017, Instagram-i prezantoi opsionin “carousel post” që lejonte përdoruesit të përfshinin deri në 10 foto e video në një postim. Tani ky numër është dyfishuar.
Kjo risi ka ardhur në momentin e duhur pasi vera po mbaron dhe “photo dumps” janë ndër postimet më të shpeshta të periudhës. Opsioni të kujton paksa periudhën kur Facebook ishte edhe më popullor dhe mund të ngarkoje një album të tërë të pushimeve verore.
Ndryshimi përafron Instagram-in me TikTok-un pasi ky i fundit lejon përdoruesit që të përfshijnë 35 foto në një postim.
Disa e mirëpresin këtë risi, ndërsa të tjerë e shohin si diçka të tepërt pasi Instagram-i nuk është më aplikacioni ku postohen fotografi të thjeshta. Shumë përdorues nuk janë të interesuar as për postimet me 10 foto pasi aplikacioni ka edhe formate të tjera përmbajtjesh.
Gjithashtu platforma ka njoftuar se “Views” do të jenë parametri primar në të gjitha formatet e saj si Reels, Live, foto, kolazhe dhe Story. Pra për gjithçka që postojnë, përdoruesit duhet të kontrollojnë të njëjtin parametër./tvklan.al