Filipçe: Të mos dilet pa nevojë nga shtëpitë, situata është serioze
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se javët e fundit kemi një shpërthim të fuqishëm të Covid-19, por jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por gjithkund nëpër botë.
Ai njoftoi se sipas OBSH-së, javën e kaluar raportohet për rritje të vdekshmërisë për 46%, krahasuar me javën paraprake. Ministri Filipçe ka theksuar se për shkak të numrit në rritje të pacientëve, klinika të ndryshme akomodohen si covid-qendra.
“Tërësisht janë plotësuar kapacitetet e Klinikës Infektive, në spitalin mobil, kurse vende të lira për momentin ka në qendrën për sëmundje të mushkërive. Klinika Interne edhe pse do të shndërrohet në covid-qendër, do të vazhdojnë kontrollet sipas termineve”, tha Filipçe.
Ai ka prezantuar planin për sigurimin e kapaciteteve shtesë për të trajtuar të sëmurët me Covid-19, duke bërë të ditur se nëse plotësohen kapacitetet e shtretërve, do të kalohet në Klinika tjera që gjithashtu do të shndërrohet në covid-qendra.
“Situata është serioze, sistemi shëndetësor maksimalisht është i mobilizuar që t`u përgjigjet sfidave. Falënderoj punonjësit shëndetësor për përkushtimin, e di se janë lodhur. Kërkojmë mbështetje nga të gjithë, mediat e qytetarët. Sado që përsëritet, çelësi i betejës qëndron tek respektimi i masave”, tha Filipçe.
Ministri Filipçe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos dalin nga shtëpitë nëse nuk kanë nevojë.
Tv Klan