Vatikani ka lancuar shërbime të reja të aktivizuara nga Inteligjenca Artificiale për Bazilikën e Shën Pjetrit duke lejuar qasje virtuale në thesaret e saj arkitekturore të epokës së Rilindjes për të gjithë dhe gjithashtu per turne të zgjeruara për vizitorët.
Përvojat e reja u zbuluan në kuadër të festimeve të Vitit të Shenjtë të Kishës Katolike ose Jubileut në vitin 2025, të cilat vijnë rreth çdo çerek shekulli.
“Shën Pjetri është si një qiell me yje në një natë vere”, u shpreh i entuziazmuar Kardinali Mauro Gambetti.
“Më pëlqen të mendoj se Bazilika e Shën Pjetrit është si një qiell me yje në një natë vere, ju mbeteni të magjepsur nga shkëlqimi, madhështia e saj. Megjithatë, ajo mund të mbetet të jetë një dëshmitar i heshtur i bukurisë së pafundme nëse inteligjenca nuk pasurohet me dije dhe zemrat nuk ushqehen nga një përvojë shpirtërore. Ju duhet një astrolabe dhe një teleskop për të parë yjet dhe keni nevojë për një anije kozmike për të depërtuar në qiellin me yje.”
Puna ka nisur në bashkëpunim me firmën e teknologjisë Microsoft dhe Iconem, një kompani që specializohet në dixhitalizimin e vendeve të trashëgimisë, Vatikani lançoi një uebsajt të ri interaktiv, një kopje dixhitale të bazilikës dhe 2 ekspozita të mundësuara nga Inteligjenca Artificiale.
“Përdorimi korrekt i potencialit të Inteligjencës Artificiale dhe që të jetë i dobishëm, varet nga ne. Ndonjëherë ndodh që instrumenti të tejkalojë qëllimin që supozohet t’i shërbejë. Është sikur korniza të bëhet më e rëndësishme se fotografia prandaj, ne duhet të rregullojmë teknikën, duke i kujtuar vetes se produktet e saj janë të vlefshme, jo vetëm kur ato funksionojnë mirë, por para së gjithash kur ato na ndihmojnë të rritemi, ky është qëllimi.”
Rreth 40-50 mijë njerëz e vizitojnë Bazilikën çdo ditë. Një model 3D i Shën Pjetrit u krijua duke skanuar Bazilikën, duke përdorur dronë, kamera dhe lazer. Algoritmet e Inteligjencës Artificiale bashkuan, përpunuan dhe plotësuan të dhënat.
Dronët fluturuan natën për 4 javë, duke marrë mbi 400 mijë fotografi. Të dhënat nga binjaku dixhital do të jenë gjithashtu të dobishme në funksion te ruajtjes dhe restaurimit.
Papa Françesku ka pranuar se AI mund të zgjerojë aksesin në njohuri, por ka paralajmëruar vazhdimisht se ajo duhet të përdoret vetëm në një mënyrë etike, për të përfituar njerëzimi.
Klan News