Një terapi me lazer është një nga format më të reja për të trajtuar varësi të ndryshme. Metoda fokusohet te veshi si një organ që konsiderohet hartë e trupit  dhe sinjalet reduktojnë simptomat fizike.

Terapisti Vincent Malmenaide ka ardhur posaçërisht nga Franca në Shqipëri ku kryen këtë trajtim.  Ai shpjegon në një intervistë për programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan sesi funksionon  kjo terapi, sa lloje të saj janë, efektet dhe për cilën kategori është më e përshtatshme.

-Çfarë është konkretisht terapia me lazer?

Vincent Malmenaide: Terapia e veshit me lazer ekziston prej shumë kohësh dhe është zbuluar në Francë në vitet ’50 nga një mjek francez. Dhe që atëherë, kjo metodë është studiuar dhe praktikuar në gjithë botën, dhe pikërisht që nga vitet ’80, kjo metodë është e njohur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Për ta përshkruar thjeshtësisht, kjo metodë bazohet në parimin se veshi është një hartë e trupit, ku përfaqësohen organet dhe zonat e trupit. Deri më sot janë identifikuar më shumë se 280 pika dhe çdo pikë është e lidhur me një organ ose zonë të trupit.

-Nëse ti je duke kërkuar pikat e veshit për një problematikë të caktuar, çfarë ndodh në trupin e njeriut gjatë kohës që bëhet terapia me lazer?

Vincent Malmenaide: Në momentin që aplikohet lazeri në vesh, duhet patur parasysh se së pari lazeri nuk futet në vesh, por aplikohet në pjesën e jashtme të veshit. Lazeri është totalisht pa dhimbje, pa efekte anësore dhe jo invaziv. Lazeri do të dërgojë disa stimulime që do të gjenerojnë efekte nervore brenda veshit dhe që do të dërgojnë sinjale në organet ose zonat që kemi përcaktuar. Dërgimi i këtyre sinjaleve ndihmon në reduktimin e simptomave të ndryshme fizike që mund të ketë personi.

Cili është suksesi i kësaj terapie? Sa sukses ka te njerëzit nëse ka varësi të forta dhe çfarë kategorish terapish realizoni?

Vincent Malmenaide: Kemi pasur shumë sukses të mirë, veçanërisht me terapinë e lënies së duhanit, që është terapia jonë kryesore. Kemi pasur persona që pinë 3-4 paketa cigare në ditë dhe që pas një seance të vetme me këtë terapi, e kanë lënë plotësisht duhanin. Ka një sukses të vërtetë me këtë terapi, ajo që duhet theksuar është se njerëzit që vijnë janë persona shumë të motivuar dhe që duan vërtet të lënë duhanin, por nuk mundin sepse kanë nevojë dhe varësi fizike për nikotinë, e cila është shumë e theksuar. Unë si terapist i ndihmoj për të eliminuar varësinë fizike nga nikotina.

-Ju thatë se kjo lloj terapie me lazer është efektive për shumë problematika, por çfarë konkretisht realizoni ju për momentin në vendin tonë?

Vincent Malmenaide: Sot ne propozojmë 4 terapi:

-Terapi për lënien e duhanit

-Terapi për uljen e stresit

-Terapi për humbjen në peshë

-Terapia për çrregullimet e gjumit

Këto janë 4 terapitë tona kryesore, dhe këtë muaj do propozojmë 3 terapi të reja:

-Terapi kundër varësisë nga alkooli

-Terapi për çrregullimet e menopauzës

-Terapi kundër migrenës

-A kanë këto terapi efekte anësore dhe çfarë mund të ndodhë nëse dikush është gjatë terapisë dhe në të njëjtën kohë është duke konsumuar cigare, alkool, apo duke vepruar në kundërshtim me arsyen për të cilën po e bën këtë terapi?

Vincent Malmenaide: Konkretisht, sot lazeri nuk ka asnjë efekt anësor, nuk ka dhimbje kur aplikohet, është lazer pa dhimbje sepse është një lazer i ftohtë me frekuencë të ulët. Nëse pas një seance lazeri ose gjatë terapive, personi fillon të pijë duhan ose të pijë përsëri alkool, në varësi të terapisë që ka bërë, nuk ka asnjë efekt anësor. Problemi është se ai e ka rifilluar përsëri dhe në këtë rast mund të vijë për një seancë të dytë.

-Cilët individë mund dhe cilët individë nuk mund të aplikojnë këtë terapi me lazer?

Vincent Malmenaide: Të gjithë mund të kenë akses në terapi, ka vetëm raste të veçanta që duhen shmangur, si gratë shtatzëna dhe personat që vuajnë nga sëmundje të rënda, si kanceri. Të moshuarit si dhe fëmijët mund të aplikojnë këto terapi me lazer./tvklan.al