Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, u paraqit këtë të mërkurë në Prokurorinë e Posaçme. Në një prononcim për mediat ai pranoi se u paraqit para prokurorëve të SPAK në cilësinë e personit nën hetim për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Bëhet fjalë për një kallëzim nga Partia Demokratike për ndërtimin e një shëtitoreje. Kallëzimi, sipas Ndreut, është politik pasi ndërtimi i një trotuari në shërbim të qytetarëve nuk i ka shkuar për shtat PD-së së Lezhës.

“Ka një problem procedure ku PD e Lezhës nuk është dakord që t’u bëjmë trotuarin njerëzve, t’u shpëtojmë jetën siç ka ndodhur përpara. Jemi në proces, dhashë shpjegimet e mia, do të jap prapë. Isha nën cilësinë e personit nën hetim. Vepra penale shpërdorim i detyrës. Është kallëzim politik, por që nuk ka të bëjë fare me efekte as korrupsioni, as shkelje të barazisë në tendera, asnjë gjë fare përveçse shërbimin që kemi bërë ne për të bërë trotuarin në një ndër zonat më të rrezikshme në Lezhë, kemi zgjidhur një problem madhor nuk i ka shkuar për shtat PD-së së Lezhës, prandaj janë aty ku janë”, tha Ndreu.

Ai theksoi se do të shkojë në SPAK sa herë ta thërrasin.

“Të jesh person nën hetim nuk do të thotë që je i akuzuar. Sa herë të më thërrasin do jem këtu sidomos për rastet kur fakti ka lidhje me një shërbim në komunitet më kanë çdo orë të ditës dhe të natës, sa herë të duan, do vij me dëshirë se jam votues, jam mbështetës publik i kësaj prokurorie, gjykate. Nuk kam dilema në këtë punë dhe nuk hyj në kategorinë e personave që qahen pse më thirrën këtu. Kanë bërë shumë mirë që më kanë thirrur, t’i sqarojmë gjërat”, tha ai.

“Unë për vete personalisht nuk e shoh të arsyeshme që të ngrihen akuza. Edhe nëse ngrihen do të përballemi. Jam vetëm sot, për të tjerët nuk e di”, shtoi në fund ai./tvklan.al