Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Neritan Ceka, kryetar i PAD:- “Brenda Partisë Socialiste ka një krah të fuqishëm i cili është kundër koalicionit, si Ruçi, Nano edhe Malaj, të cilët nuk duan që të ketë këtë komponent të qendrës me krah nga e djathta. Është një grup i cili përfaqëson bazën militante që vjen nga Partia e Punës dhe natyrisht nuk duan të kenë një komponent me ngjyrime të djathta brenda koalicionit”.
Ka qenë ky reagimi i presidentit të Partisë Aleanca Demokratike Neritan Ceka për çështjet e kandidimit në zgjedhjet lokale. PAD pavarësisht nga vendimi i kongresit do të kandidojë e pavarur nga partitë aleate të Aleancës për Shtetin. Koalicioni është mbërthyer nga dilemma se si do të paraqitet në zgjedhje. Por për PS kjo duket se nuk përbën ndonjë shqetësim. Sekretari për marrëdhënien me publikun në PS Luan Rama, i ka uruar sot rrugë të mbarë Cekës dhe pasuesve të tij.
PS Luan Rama:- “Është e lirë dhe sovrane Aleanca Demokratike, të gjykoj dhe të vendos vetë, ndërkaq nëse ata duan të ikin është gjithashtu përgjegjësi e tyre. Nëse ata ndihen të paaftë për të ecur me ritmet dhe përgjegjësitë që kërkon qeverisja e vendit do tju uronim së paku të kenë fat atje ku do të shkojnë”.
Neritan Ceka, kryetar i PAD:- Partia Aleanca Demokratike, nuk është e punësuar tek PS, ky është një koalicion që ka dalë nga zgjedhjet e 29 qershorit, me votë unanime popullore. Gjithashtu dua të them që PAD është një parti e qendrës me krah nga e djathta, nuk është rozë, nuk është në vendin e vetë”.
Kontraditat e deritanishme kanë bërë që PAD të përfaqësohet në qeveri vetëm me një ministër, atë të Ndërtimit Arben Dehmeti. Ky sherr mund ti kushtoj PAD humbjen e të gjitha posteve jo vetëm në kabinetin Meta por edhe në institucione të tjera./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego