Polonia do të mbajë zgjedhjet lokale të Dielën të cilat shihen si një test për partitë që përbëjnë qeverinë e koalicionit pro-evropian të kryeministrit Donald Tusk. Sondazhet tregojnë një garë të ngushtë midis Koalicionit Qytetar të Tusk dhe partisë opozitare nacionaliste “Ligj dhe Drejtësi”.

Analistët thonë se rezultatet që do të dalin nga zgjedhjet lokale do të kenë pasoja për balancën e pushtetit në qeveri.

“Këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme, jo vetëm për politikanët, për partinë në pushtet apo për kryeministrin, por edhe për ne si qytetarë, sepse shumica e vendimeve merren nga pushteti vendor dhe në tetë vitet e fundit pushteti vendor ishte shumë i kufizuar nga ana financiare dhe në vendime”.

Partia opozitare “Ligj dhe Drejtësi” doli e para në zgjedhjet parlamentare të tetorit, por humbi shumicën parlamentare. Analistët thonë se nëse partia e Tusk del në krye këtë herë do të forcojë pozitën e partisë si forcë dominuese, si në vend ashtu edhe brenda qeverisë. Për vetë këtë parti, zgjedhjet janë gjithashtu një test kyç.

Qeveria e Tusk ka arritur të zhbllokojë miliarda euro fondet e Bashkimit Evropian që ishin ngrirë për shkak të shqetësimeve të sundimit të ligjit dhe gjithashtu ka nisur reforma gjithëpërfshirëse në gjykata dhe media shtetërore. Megjithatë, ajo përballet me kritika mbi ligjshmërinë e disa prej reformave të saj, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me median, dhe po kritikohet për mospërmbushjen e një sërë premtimesh të bëra para zgjedhjeve.

Klan News