Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë përmes një letre se zhvillimet e fundit në mes të Izraelit dhe Kosovën mund të çojnë drejt një epoke të re, në të cilën mund të përfitojnë të dyja palët.
“Jam i bindur se ne mund të arrijmë shumë duke punuar së bashku dhe shpresoj që do të shkojmë drejt realizimit”, ka deklaruar Netahyahu.
Ai i ka bërë këto komente përmes një letre e cila u lexua në kuadër të ngjarjes së organizuar të martën në Prishtinë nga Kryerabinati i Shqipërisë, Yoel Kaplan, për shënimin e Vitit të Ri Hebraik, që nis të kremtohet më 18 shtator.
Netanyahu po ashtu ka thënë se vlerëson përpjekjet e komunitetit hebre në Kosovë për t’u bashkuar më shumë me njëri-tjetrin.
Shënimi i Vitit të Ri Hebraik në Prishtinë [5781], ka ardhur pak ditë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes të Kosovës dhe Izraelit.
Lajmi është bërë publik më 4 shtator në Zyrën Ovale nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Kjo ndodhi pasi Kosova dhe Serbia, nënshkruan nga një dokument me zotime për normalizim ekonomik.
Përveç Netanyahut, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës kanë diskutuar në ceremoninë e së martës për lidhjet që ekzistojnë mes popullit shqiptar dhe atij hebre.
Kryerabini Kaplan ka thënë se pëlqen Shqipërinë, mirëpo ndjehet më mirë në Prishtinë.
“Kosova është unike. Jo shumë njerëz në gjithë botën e dinë sesa e veçantë Kosova. Çfarë ka të veçantë në Kosovë janë njerëzit. Dhe kjo i bën Izraelin dhe Kosovën më të afërt”, ka thënë ai.
Rabini nga Tirana, Yisroel Finman, ka thënë në Prishtinë se shqiptarët kanë bërë shumë për të shpëtuar hebrenjtë, të cilët në kohën e nazizmit kanë qenë në Kosovë dhe Shqipëri.
“Sa më shumë që kam bërë kërkime, aq më shumë e kam kuptuar që vendet tona janë shumë të ngjashme, për shkak të kulturës dhe vështirësive që kemi përjetuar me të tjerët, që nuk janë kujdesuar siç duhet për ne”, ka deklaruar Finman.
“Është shumë e nevojshme për shtetet tona që të punojnë së bashku, por më shumë se aq, është e nevojshme që individët, përfshirë kosovarët, izraelitët, hebrenjtë në Amerikë, Zvicër dhe në gjithë botën, të ulen dhe të flasin me njëri-tjetrin”, ka thënë mes tjerash ai.
Rabini Finman ka thënë se “paqja arrihet kur njerëzit ulen së bashku, flasin me njëri-tjetrin dhe njohin njëri-tjetrin”.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se ceremonia e së martës është e veçantë meqë tani Kosova dhe Izraeli kanë krijuar marrëdhënie diplomatike.
“Këtë vit, kjo festë është edhe më e madhe sepse vjen me lajmin e shumëpritur për njohjen reciproke mes shtetit të Kosovës dhe Izraelit. Me këtë, miqësia jonë historike, tradicionale mes dy popujve tanë, po forcohet çdo ditë e më tepër. Ndërtohet urë e fuqishme e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në sferat shoqërore, bashkëpunim nga i cili do të përfitojmë të gjithë. Do të përfitojë Kosova, Izraeli, Ballkani Perëndimor dhe i gjithë globi”, ka deklaruar Thaçi.
Ai ka theksuar se është e rëndësishme që njohja nga Izraeli ka rrjedhur nga Shtëpia e Bardhë.
Presidenti i Kosovës ka folur edhe për marrëveshjen e arritur në Shtetet e Bashkuara mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, SHBA-ja mund të kryejë marrëveshje politike dhe stabilizim të marrëdhënieve e njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë.
“Prandaj shënojmë edhe këtë manifestim, këtë ngjarje madhështore këtu në Prishtinë në një moment të veçantë dhe historik për të dyja vendet, veçanërisht kur ky vit i ri po shënohet pas arritjes së marrëveshjes së Uashingtonit, marrëveshje kjo që ka karakter ekonomik, të sigurisë por edhe të njohjes reciproke të shtetit të Kosovës dhe Izraelit. Ka karakter ekonomik sepse kemi më shumë rrugë e autostrada, hekurudha bashkëkohore e vija ajrore funksionale. Ka karakter të sigurisë sepse me partnerët do të jemi në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Do të kemi më tepër paqe. Dikur pakkush besonte se këto përpjekje mund të përfundonin me marrëveshje paqësore”, ka thënë mes tjerash ai.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur bindjen që pas njohjes mes Kosovës e Izraelit, Kosova do të thellojë marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.
“Komuniteti hebraik i Kosovës, është hallkë e rëndësishme në këto marrëdhënie. Ne do të vendosim së shpejti marrëdhëniet tona diplomatike me shtetin mik të Izraelit”, ka thënë Hoti.
Osmani: Marrëdhëniet Kosovë-Izrael të kalojnë një fazë tjetër të bashkëpunimit
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se nuk ka dy popuj të tjerë në botë si populli i Kosovës dhe ai hebre që kuptojnë më mirë vuajtjet e njëri-tjetrit.
“Historia e dëshmon që për një kohë të gjatë, por në veçanti shtatë dekada më parë, kur populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët i qëndruan pranë popullit hebraik, për t’i shpëtuar ata nga shfarosja. Para 20 vitesh gjatë luftës në Kosovë, kur populli i Kosovës po rrezikohej pikërisht nga shfarosja, atëherë ishte populli i Izraelit dhe popujt demokratikë anembanë botës që i hapen dyert e tyre për refugjatë nga Republika e Kosovës”.
Ajo po ashtu ka kërkuar që marrëdhëniet Kosovë-Izrael të kalojnë një fazë tjetër të bashkëpunimit.
Kurti: Kosova është atdhe i hebrenjve
Pjesë e ceremonisë ka qenë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka thënë se Kosova është atdhe i hebrenjve. Sipas ti, hebrenjtë në Kosovë kanë po aq të drejta sa edhe kosovarët.
Kurti ka thënë se e shkuara ka mësuar të bashkëpunohet për paqe duke ruajtur njerëzit përballë çdo dhune apo kërcënimi.
“Ndjehuni në Kosovë si në vendin tuaj. Njohja shtetërore mes Izraelit dhe Kosovës do të jetë vetëm hapi i parë i radhës në historinë e miqësisë dhe të respektit në mes popullit shqiptar dhe atij izraelit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shumëkush i kujton ndihmat që shqiptarët iu dhanë hebrenjve, por edhe gjatë dhe pasluftës në Kosovë. Izraeli dhe shumë vende të tjera kanë mirëpritur refugjatët tonë dhe kanë dërguar ndihma humanitare e ekonomike dhe janë angazhuar politikisht për drejtësi”, ka thënë Kurti gjatë adresimit të tij.
Krejt në fund i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka falëndëruar Kosovën përmes një video-mesazhi për mikëpritjen e të gjitha komuniteteve fetare./REL