Stina e nxehtë e verës ka zhvendosur aktivitetet kulturore në bregdet.
Në fillim të Gushtit bashkia e qytetit të Durrësit ka bërë publik një kalendar aktivitetesh kulturore që do të zhvillohen për gjatë gjithë verës.
Aktiviteti i radhës i takon Bienales “Netët e Muzikës klasike”, e cila do të mbledhë për 7 ditë rresht 25 artistë nga Evropa me një itinerar kronologjik të etapave më të rëndësishme të muzikës instrumentale ndër shekuj.
Florian Vlashi: “Nuk është thjesht një grumbull koncertesh me programe mikse, por ka një strukturë, ka një formë të caktuar dhe forma është kjo që çdo natë të jetë një përfaqësuese e një stili muzikor. Kësaj strukture i kemi bashkangjitur edhe 2 koncerte të tjera që patën sukses në edicionet e kaluara që është “Nata e muzikës shqiptare” në rastin konkret është natë e muzikës Kosovare” në këtë edicion dhe konkursi i talenteve të reja që e kemi quajtur “Nata e talenteve të rinj”.
Festivali Ndërkombëtar “Netët e muzikës Klasike” në Durrës nisi verën e vitit 2003 si një projekt i hedhur në tryezën e bashkisë së Durrësit, me synimin për të promovuar talentet e reja.
Por në edicionin e katërt të tij, ai ka marrë përmasat e një aktiviteti të rëndësishëm kulturor që prek kufijtë e mjaft vendeve të Evropës.
Për zhvillimin e koncertit janë përzgjedhur kisha ortodokse e qytetit, muzeu arkeologjik, galeria Jozef si dhe teatri Aleksandër Moisiu./tvklan.al
Gazetare: Enkelejda Arapi