Presidenti francez kërkon reformim rrënjësor të hapësirës Shengen. Gjatë një konference në pallatin presidencial, Emmanuel Macron kritikoi ashpër mënyrën e funksionimit të hapësirës së lëvizjes së lirë në Bashkimin Europian, ndërsa shpalosi edhe propozimet e tij.
“Marrëveshja e famshme e Shengenit nuk funksionon më. Eruopa, në të cilën unë besoj, i mbron kufijtë e saj, ka një të drejtë më të arsyeshme për dhënien e statusit të refugjatit dhe përgjegjshmëria shoqëron solidaritetin”.
Shefi i Elizesë e konsideron të mundshëm një Bashkim Europian me kontrolle të brendshme kufitare, ose një hapësirë të lëvizjes së lirë me më pak vende dhe me rregulla më të forta hyrjeje.
Problemet me lëvizjen e lirë lindën pas dyndjes masive të refugjatëve dhe emigrantëve në vitin 2015, si pasojë e trazirave në vendet e Afrikës Veriore e Lindjes së Mesme. Disa vende europiane rivendosën kontrollet kufitare mes tyre për të penguar hyrjen kaotike të refugjatëve, duke e nxjerrë përkohësisht jashtë funksionit marrëveshjen e 1985-s.
Disa vende anëtare të BE-së mbështesin rishikimin e dy traktateve, atë të Shengenit për lëvizjen e lirë dhe atë të Dublinit për mënyrën e shpërndarjes së refugjatëve brenda unionit.
Tv Klan