Vendimi i qeverisë shqiptare për të shpallur investitor strategjik kompaninë e Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump për të investuar në Shqipëri ka marrë vëmendjen e mediave amerikane. “New York Times” është media e radhës që i dedikon një artikull projektit luksoz në Sazan të Jared Kushner.
“Qeveria e Shqipërisë i ka dhënë miratimin paraprak një plani të propozuar nga Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump, për të ndërtuar një kompleks hotelesh luksoze 1.4 miliardë Dollarë në një bazë të vogël ushtarake të braktisur në brigjet e Shqipërisë. Projekti është një nga disa që përfshin Trump dhe familjen e tij të gjerë që përfshin drejtpërdrejt entitete qeveritare të huaja që do të ecin përpara edhe kur Trump do të jetë në krye të politikës së jashtme në lidhje me të njëjtat kombe” , shkruan New York Times.
Miratimi nga Komiteti i Investimeve Strategjike të Shqipërisë, i cili drejtohet nga Kryeministri Edi Rama, i jep zotit Kushner dhe partnerëve të tij të biznesit të drejtën për të vazhduar me negociatat e përshpejtuara për ndërtimin e resortit luksoz në një seksion prej 111 hektarësh në ishullin e Sazanit që do të lidhet me traget me kontinentin.
Affinity Partners, kompani private e Kushner me kapital të mbështetur me rreth 4.6 miliardë Dollarë, kryesisht nga Arabia Saudite dhe fonde të tjera të pasurisë sovrane të Lindjes së Mesme, po ndjek projektin e Shqipërisë së bashku me Asher Abehsera, një sipërmarrës i pasurive të paluajtshme që Kushner u bashkua më parë për të ndërtuar projekte në Brooklyn te SHBA-se.
“Qeveria shqiptare, sipas një dokumenti zyrtar të publikuar së fundmi, do të punojë me partnerët e saj amerikanë për të pastruar vendin ku do të ndërtohet hoteli nga çdo municion që mund të ndodhet aty dhe për të shqyrtuar çdo shqetësim tjetër mjedisor ose ligjor që duhet të zgjidhet përpara se të nisë projekti”, shkruan gazeta amerikane.
Dokumenti, i datës 30 Dhjetor vë në dukje se qeveria “ka të drejtë të revokojë vendimin”, në varësi të negociatave përfundimtare të projektit. Firma e Kushner ka thënë se plani është të ndërtojë një “komunitet eko-resort” me pesë yje në ishull duke e kthyer një “ish-bazë ushtarake në një destinacion të gjallë ndërkombëtar për mikpritjen dhe mirëqenien”.
Ivanka Trump, vajza e Donald Trump, ka thënë se po ndihmon me projektin gjithashtu shkruan New York Times. Ky projekt është vetëm një nga dy marrëveshjet e mëdha të pasurive të paluajtshme që Kushner po ndjek së bashku me Abehsera që përfshijnë qeveri të huaja.
Klan News