Vendimin e qeverisë shqiptare që shpall investitor strategjik kompaninë e dhëndrit të Presidentit Donald Trump, Jared Kushner për të ndërtuar një resort luksoz në vlerën e 1.4 miliardë dollarëve në ishullin e Sazanit, Sali Berisha e sheh si vijim të një procedure që Shqipëria ka ndjekur që prej vitit 2001. I vetmi shqetësim që ka, thotë se është përdorimi për kapital politik nga ana e Edi Ramës, pas ngjitjes së Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Prej vitit 2001 deri më sot Sazani i është ofruar biznesmenëve të huaj në mënyrë periodike. Kjo është oferta e radhës që Rama e bëri për të blerë influenca politike.”

Kur shënjeshtron Ramën, pas nuk lë edhe kryebashkiakun Veliaj, në luftën e pamëshirshme që thotë se ka nisur në kampin kundërshtar.

“Numri dy i PS është de facto një kufomë politike e pakallur. Shfigurimi i njeriut arrin deri aty sa nuk guxon të akuzojë Edi Ramën apo Anesti Angonin, por akuzon familjarët e tij.”

Pas në akuza nuk la edhe kreun e SPAK-ut, duke paralajmëruar pas ardhjes në pushtet një reformë të pavarur në sistemin e drejtëssië. “Rama e përdor Dumanin kundër opozitës dhe të vetëve. Do bëjmë reform të pavarur me ekspertizë të Komisionit të Venecias.”

Por ngjitja në karrigen e kryeminisitrit kërkon votën e shqiptarëve, ndaj dhe një thirrje adresoi për emigrantët. “Rregjistrohuni, votoni. Me votën tuaj mund t’i jepni një shans ndryshimit, rrotacionit.”

Këta të fundit i garantoi se do të jenë pjesë e Primareve, nga ku pritet të dalë edhe ekipi me të cilin do të garojë në zgjedhjet e 11 Majit. “Primaret do të shpallen së shpejti për këdo, brenda e jashtë vendit.”

Partitë e reja të pozicionuara në opozitë i sheh në shërbim të pushtetit.

“Arsyet që këto forca politike vendosen në funksionin e opozitarëve të opozitës, le t’i gjykojnë vetë qytetarët.”

Edi Ramën e sfidoi sërish në debat publik.  “Të dalim njëherë në shesh.” Pa ironizuar nuk la edhe shallin që Rama i dhuroi homologes italiane në përvjetorin e saj të 48-të në Abu Dhabi.

“Teatralitet i neveritshëm!”

Qytetarëve u premtoi t’u kthejë çdo pasuri të vjedhur nga ai që e cilëson ‘narko-regjim’. Penalitete të ashpra paralajmëroi edhe për abuzuesit e barnave. “Do dënohen për krime kundër njerëzimit.”

Gjatë komunikimit me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha premtoi vendosjen e minimumit jetik 200 Euro, pagës minimale 500 Euro, dhënien e bonusit për fëmijët, uljen e çmimit të energjisë, naftës, si dhe kartën e konsumatorit.

Tv Klan