Ëndrra e Presidentit Donald Trump për pasuritë e paluajtshme në Rivierën e Gazës është tashmë në zhvillim e sipër në Shqipëri. Kështu e nis shkrimin e saj gazeta britanike The Telegraph, ku thotë se plani i presidentit amerikan për Lindjen e Mesme, po zbatohet në një fare mënyre nga dhëndri i tij në Sazan.
Për të bazuar këtë argument, gazetari Nick Squires risolli si argument deklaratën e Jared Kushner në një audiencë në Universitetin e Harvardit, Shkurtin e kaluar ku tha se Gaza posedonte pronë “shumë të vlefshme” buzë detit që mund të shndërrohej në qendër për turizmin.
‘It’s one of the last, if not the last, natural deltas in the entire Mediterranean.’ Battle over plans by Trump’s son in law to build luxury resorts on pristine coastline in southern Albania @Telegraph https://t.co/4EvPPnQcBP
— Nick Squires (@NickSquires1) February 10, 2025
Por sipas tij, teksa këto plane në Lindjen e Mesme duken të pamundura për t’u zbatuar, disa qindra milje në veri të brezit të shkatërruar nga lufta, Kushner i është dhënë miratimi paraprak për të ndërtuar një kompleks të madh turistik në ishullin e Sazanit.
Gazeta shkruan se projekti prej 1.4 miliardë eurosh do të mbulojë edhe zonën e Zvernecit me hotele futuristike, vila, pishina dhe bankina jahtesh
Muajin e kaluar qeveria shqiptare i dha dritën jeshile zhvillimit në ishullin e Sazanit, i cili për dekada ka qenë një zonë ushtarake e izoluar.
Qeveria shqiptare miratoi projektin e Kushner duke e cilësuar një “investim strategjik”. Si pjesë e strategjisë theksohet në The Telegraph, një aeroport ndërkombëtar po ndërtohet në vendin e një ish piste ajrore ushtarake në veri të Vlorës, që pritet të trajtojë deri në 750 mijë pasagjerë në vit.
Por, për Kushner, ky aeroport është një ëndërr, pasi turistët do të mund të fluturojnë direkt nga Amerika pasi do të jetë një aeroport për fluturime ndërkontinentale që do nxisë edhe më shumë turizmin.
Banorët e Zvernecit janë entuziastë për projektin pasi shpresojnë që të shesin tokat e tyre të papërdorura dhe se ky investim do te rrisë zhvillimin e zonës dhe të shtojë punësimin.
Po ashtu edhe Ermal Dredha, kryebashkiaku i Vlorës shpreson se ky investim do të sjellë punë dhe rritje të vlerës se pronave, pasi do që projekti të kthehet në një destinacion kryesor turistik, diçka unike, por edhe i qëndrueshëm.
Klan News