Nga 1 janari i vitit të ardhshëm sigurimi i automjeteve nuk do të kushtojë njëlloj për të gjithë drejtuesit. Lehtësi do të kenë automjetet me motor të vogël si dhe ato të regjistruara në qarkun e Dibrës, Kukësit dhe Beratit. Këto të fundit janë përcaktuar si qarqe me faktor të ulët risku për aksidente.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar një rregullore të re sipas së cilës, shoqëria e sigurimit për kategorinë autovetura, përllogarit primin e sigurimit bazuar në faktorët e riskut, si: historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; Fuqia motorike; Mosha e të siguruarit; Eksperienca në drejtimin e mjetit motorik dhe vjetërsia e mjetit.
E thënë ndryshe, ata që kanë një historik me aksidente si dhe automjete me shumë vite prodhimi do të paguajnë më shumë se një drejtues mjeti që ka një makinë të re.
Edhe ata që kanë më pak se dy vite eksperiencë në drejtimin e mjetit, do të paguajnë më shumë. Janë kompanitë e sigurimit ata që do të llogarisin vlerën, në bazë të faktorëve të riskut. Për vlerat e përcaktuara, kompanitë do janë të detyruara të njoftojnë AMF-në në 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit.
Tv Klan