Në prag të ndeshjes me Austrinë në debutimin në Euro 2024, ylli i Francës Kylian Mbappe është përfshirë në qendër të trazirave të politikës franceze.
Teksa Franca ka shpallur zgjedhje të parakohshme pas fitores së të djathtës ekstreme në Francë për zgjedhjet europiane, Mbappe ka dalë nga normaliteti i konferencës për shtyp në prag të ndeshjes Austri-Francë.
Ai ka thënë se situata në Francë ishte e tmerrshme pas fitores së partisë së Le Pen në zgjedhjet e Parlamentit Europian.
“Kjo është një ngjarje që nuk është parë kurrë më parë. Kjo është arsyeja pse dua të flas me të gjithë popullin francez, por edhe me të rinjtë. Ne jemi një brez që mund të bëjmë ndryshim. E shohim se si ekstremistët po trokasin në derën e pushtetit, ne kemi mundësi të formësojmë të ardhmen tonë”, tha Mbappe duke kërkuar që të mos votohet e djathta ekstreme në Francë.
Një javë më parë, Presidenti i Francës, Macron shpalli zgjedhje të parakohshme pasi partia e ekstremit të djathtë të Le Pen fitoi zgjedhjet në shtetin francez për Parlamentin Europian.
Ndeshja Austri-Francë luhet sot në orën 21:00. Franca shihet si një nga pretendentet për të fituar Kampionatin Europian 2024.
/tvklan.al