Vitamina D është ajo më pak e kushtueshmja që mund të marrim pasi vjen nga një burim natyror i cili është dielli. Mjafton 20 minuta ekspozim në diell, sigurisht duke marrë masat e duhura për të mos dëmtuar lëkurën në mënyrë që organizmi të furnizohet me të.

Farmacistja Teuta Maci, e ftuar në “Shije Shtëpie” tregoi pak më konkretisht për rëndësinë e vitaminës D. Funksioni kryesor i saj është përthithja e kalciumit i cili formon kockat dhe dihet që këto të fundit synohet të jenë sa më të shëndetshme, sidomos në vitet e thyera të njeriut.

Një sërë arsyesh të tjera pse duhet vitamina D janë shëndeti i lëkurës, sistemi imunitar si dhe për forcimin e muskujve, ndaj nevojitet të jetë e pranishme që në fazat e hershme të jetës.

Teuta Maci: Osteoporoza është dobësimi i kockës përgjithësisht në moshë të madhe si pasojë e një mungese të gjatë të vitaminës D.

Katerina Trungu: Pra, përkujdesja duhet të fillojë herët në moshë që të shmangim këtë lloj risku?

Teuta Maci: Në fakt, përkujdesja duhet të fillojë që në shtatzëni sepse mungesa e vitaminës D te nënat shtatzëna mund të shkaktojë edhe lindje të parakohshme. Më pas, jo vetëm në shëndetin e nënës, por edhe në shëndetin e fëmijës, në formimin e kockave mund të shkaktojë probleme kështu që fillohet nga fillimi në mbarim.

Një shembull, tani nuk e shohim më sepse ushqimi dhe dieta kanë ndryshuar shumë, edhe kontrollet. Por dikur, nëse keni parasysh fëmijët ose personat që i kanë këmbët e harkuara nga jashtë, është një nga sëmundjjet që shkaktohej dikur nga mungesa e vitaminës D. U zhduk në Perëndim në momentin që filluan të konsumonin vajin e mëlçisë së merlucit, e cila është e pasur me të dhe aty nisën të kuptonin rolin shumë të rëndësishëm të saj. Si pasojë e zbutjes së kockave gjatë rritjes, fëmijëve nuk arrijnë t’i formohen gjymtyrët plotësisht siç duhet dhe ato marrin një hark nga jashtë.

Kjo është sëmundja e rakitit, nga del edhe fjala “rakitik”, pikërisht nga mungesa e vitaminës D dhe fillon që në shtatzëni, te nëna, te fëmija e më pas gjatë gjithë jetës./tvklan.al