Një ngjarje e rëndë dyshohet se ka ndodhur në Shkodër. Nëna, bashkë me 3 fëmijët prej 3 ditësh rezultojnë të humbur. Një prej fëmijëve, vajza rreth 9 vjeç është gjetur e pajetë nga një peshkatar në ujërat e lumit Drin.

Policia sqaron se nga këqyrja paraprake e trupit të të miturës, në prani të ekspertit mjeko-ligjor, nuk janë konstatuar shenja dhune. Korrespondentja e Klan News, Emi Kalaja raporton se ka dyshime se 2 fëmijët e tjerë dhe nëna, 39-vjeçarja Alma Arrazi kanë humbur jetën.

Ndërkohë polumbarët e forcave RENEA ndodhen në Shkodër duke bërë kërkime për trupat e tre personave të tjerë. Policia ka ndaluar bashkëshortin, 31-vjeçarin Ergys Arrazi, i cili më 3 Maj kishte deklaruar në polici se ka humbur kontaktet me familjen e tij.

“Më datë 03.05.2024, shtetasi E. A., 31 vjeç, banues në Shkodër, ka kallëzuar se është larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe, së bashku më 3 fëmijët e tyre të mitur. Po punohet për gjetjen e tyre”, ishte ky njoftimi i policisë lidhur me kallëzimin e Arrazit.

Janë ende të paqarta arsyet e kësaj ngjarje, ndërsa policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet duke marrë në pyetje familjarë të shtetases Alma Arrazi dhe bashkëshortit të saj të ndaluar nga policia nëse kanë dijeni për ngjarjen. Akoma nuk ka një njoftim zyrtar nga ana e policisë për sqarimin e kësaj ngjarje të rëndë, ndërsa detaje të tjera priten në vazhdim./tvklan.al