Parlamenti grek nisi diskutimet për Marrëveshjen e Prespës. Debatet do të zgjasin dy ditë dhe marrëveshja do të hidhet për votim përfundimtar mbrëmjen e së enjtes.
“Siç tregojnë gjasat, Kryeministri Tsipras i ka siguruar 151 votat e nevojshme për votimin e marrëveshjes. Përveç 145 deputetëve të SYRIZA-s në pushtet, kanë deklaruar se do të votojnë pro dhe tre deputetë nga partia e ish-ministrit të Mbrojtjes Kamenos, si dhe tre të pavarur. Por në fund të ditës votat pro mund të jenë edhe më të shumta, siç kanë lënë të kuptohet deklaratat e katër deputetëve nga forca të tjera të qendrës”, thotë për Tv Klan nga Athina gazetari Robert Goro.
Debati pritet të zhvillohet në një atmosferë të elektrizuar. Kryeministri Tsipras publikoi një video të titulluar “E vërteta për Marrëveshjen e Prespës”. Sipas tij, marrëveshja garanton stabilitetin gjeopolitik dhe kufizon influencën e fuqive të treta në kufijtë veriorë të Greqisë.
Ndërkaq, shefi i opozitës, Kyriakos Mitsotakis, deklaroi në prag të debatit, se partia e tij do të bëjë “gjithçka që është e mundur, për të penguar votimin e marrëveshjes”.
Të enjten, është paralajmëruar një protestë e re para Parlamentit, kundër marrëveshjes. Organizatorët e saj kërkojnë që shkollat dhe bizneset të qëndrojnë të mbyllura, ndërsa qytetarët të nxjerrin në dritaret e tyre flamujt kombëtarë të vendosur në gjysmë shtizë.
Tv Klan