Pasditet në Televizionin Klan ridimensionohen me një tjetër talkshow. Takimi i pasdites është emisioni më i ri i Televizionit Klan, i cili do të na shoqërojë nga e hëna në të premte nën drejtimin e Rudina Magjistarit, e cila rikthehet në ekranin më të ngrohtë për shqiptarët.
Nga e hëna në të premte në orën 18:00 shqiptarët kanë një mundësi më shumë për të zgjedhur stacionin që preferojnë, temat më të dobishme për ta, marrëdhëniet njerëzore, probleme sociale, personazhe, histori personale, tema të ndjeshme për çdo grup moshë, tema që prekin çdo familje shqiptare, dashuria, shëndeti, kultura, arti, kuzhina dhe moda, çdo ndodhi që i jep kuptim jetës së gjithkujt që paraqet interes publik, që përcjell aktualitet dhe informacion për pjesën më të madhe të shoqërisë, do të gjejë vend në minutazhin e këtij programi, që përtej një show spektakël, do të sigurojë çdo ditë informacion të vyer për këdo, përmes mesazheve që do të përcjellë.
Një studio e ngritur në këmbë, krejt në një stil të ri, nga skenografi Joni Kraja, në përshtatje me dinamikën e programit, ku të ftuarit dhe diskutimi me ta për temat e ndryshme do të përbëjnë një nga pikat kyçe të emisionit të drejtpërdrejtë të pasdites në regjinë e Trim Rados.
Puna për programin ka nisur prej kohësh. Një staf gazetarësh të udhëhequr nga kryeredaktori i programit, Fatos Hakorja, do të ndjekin kronikat e përditshme në terren, të cilat vijnë përmes insertesh të përgatitura për të pasqyruar nga afër realitetin e jetës.
Pas spektakleve të njohur, Porta e Fatit, Maratona e Këngës Popullore dhe Taksi e Rezervuar të realizuara në vite në Televizionin Klan prezantuesja Rudina Magjistari, përmes ekranit të Klan, do të hyjë në çdo familje shqiptare, nga e hëna në të premte, me takimin e pasdites./tvklan.al