Shqipëria bindi në miqësoren e parë në prag të Europianit. Kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 3-0 ndaj Lihtenshtejnit, në sfidën që u transmetua në Tv Klan. Golat e Brojës, Asanit dhe Muçit, i dhanë suksesin skuadrës së Silvinjos.
Ndeshja nisi me Shqipërinë më kërkuese dhe me presing të lartë. Mundësia e parë e mirë ishte për Gjasulën në minutën e 7-të, por mesfushori shpërdoroi një penallti në lëvizje.
Rast të artë kishte edhe Bajrami në minutën e 22-të, por gjuajtja nga goditja e dënimit, u ndal nga muri mbrojtës.
Pas tentativave të pasuksesshme, në minutën e 31-të, Armando Broja, zhbllokoi rezultatin, duke shënuar pas një asisti të marrë nga Bajrami.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa e dyta nisi me gol. Jasir Asani, realizoi një perlë nga goditja e dënimit, për të dyfishuar shifrat.
Në minutën e 67-të, Muçi vulosi takimin, duke shënuar të tretin.
Silvinjo me siguri ka marrë përgjigje pozitive nga ekipi. Shqipëria do të luajë miqësoren e dytë pas katër ditësh ndaj Azerbajxhanit, takim që gjithashtu do të transmetohet në ekranin e Tv Klan.


































Formacionet zyrtare:
Shqipëria: Berisha; Balliu, Ismajli (Mihaj), Ajeti (Kumbulla), Mitaj; Gjasula (Laçi), Asllani; Bajrami, Asani (M. Berisha), Hoxha (Muçi), Broja (Manaj).
Lihtenshtejni: Ospelt; Kindie, Goppel, Beck, Wolfinger, Meier; Luchinger, Buchel, Sele; Beck, Saglam.
SHQIPËRI-LIHTENSHTEJN 3-0
Broja 31′, Asani 47′, Muçi 67′

Ndeshja minutë pas minute:
Mbyllet sfida, Shqipëria fiton 3-0.
90′- Akordohen 2 minuta shtesë.
87’- Rey Manaj rrëzohet në zonë dhe pretendon penallti, por nuk është i këtij mendimi arbitri, që vazhdon lojën.
83’- Qazim Laçi provon nga e djathta me një gjuajtje-kros. Grushton portieri i Lihteshtejnit.
79’- Muçi vertikalizon në zonë nga e majta, por largon me këmbë portieri Ospelt.
76’- Debuton te Shqipëria Medon Berisha. Mesfushori merr vendin e Jasir Asanit.
74’- Tjetër rrezik nga Manaj, që vë në presion portierit Ospelt dhe fiton goditje këndi. Asllani në aksionin e radhës, provon nga jashtë zone, por ndalet pa shumë probleme.
73’ Mundësi shumë e mirë për Shqipërinë, me Manajn që shpërdoron një rast të mirë i vetëm me portierin. Arbitri anësor, akordon pozicion jashtë loje.
67’- Goooool Shqipëria 3-0! Shënon Ernest Muçi. Aksion i rrjedhshëm dhe i bukur nga Bajrami, që pason për Laçin në zonë, me mesfushorin që vertikalizon për Asanin, i cili u ndal nga shtylla. Në vazhdim të aksionit, përfitoi Muçi, që e dërgoi topin në rrjetë.

63’- Zëvendësim i dyfishtë te Shqipëria. Largohet Ajeti për Kumbullën dhe Broja për Rey Manajn.
62’- Broja fiton goditje dënimi pranë flamurit të këndit. Bajrami kroson në zonë, por largon mbrojtja kundërshtare.
57’- Tentativë e Asllanit nga jashtë zone, por gjuajtja nuk ka saktësinë e duhur, duke shkuar mbi traun e portës.
53’- Ndërhyrje e ashpër ndaj Kristjan Asllanit në mesfushë nga Sele, me futbollistin shqiptar që ndjen dhimbje. Mesfushori i Lihteshtejnit ndëshkohet me karton të verdhë.
52’- Jasir Asani provon një pasim të gjatë për Brojën nga mesfusha, por ndalet në momentin e fundit.
47’- Goooooool Shqipëria 2-0! Super Jasir Asani, me sulmuesin që di të shënojë vetëm supergola. Këtë herë, me të majtën, sulmuesi realizoi një perlë nga goditja e dënimit.



45’- Fillon pjesa e dytë, me tre zëvendësime. Laçi i merr vendin Gjasulës, Mihaj për Ismajlin dhe Muçi për Hoxhën.
45+2’- Mbyllet pjesa parë!
45’- Akordohen dy minuta shtesë!
44’- Bajrami rrëmben një top në mesfushë dhe e nis menjëherë për Brojën, që nuk ia del dot ta marrë në kontroll.
39’- Minuta të mira për Shqipërinë që mbyll kundërshtarin në mbrojtje, duke rrezikuar me Brojën dhe Asanin, por mungojnë gjuajtjet e rrezikshme.

38’- Broja shpërthen në krahun e djathtë dhe kroson në zonë, por topi i sulmuesit nuk shfrytëzohet si duhet.
35’- Ismajli merr një krosim të gjatë dhe me kokë hedh topin në zonë, aty ku Ajeti nuk e shfrytëzon si duhet, duke shkaktuar faull.
31’- Gooooool Shqipëria 1-0! Armando Broja, merr një top të bukur nga Nedim Bajrami që nis me shpejtësi një goditje dënimi dhe i vetëm me portierin nuk gabon, duke shënuar të parin, për të zhbllokuar sfidën.




28’- Mundësia më e mirë për shënim te Shqipëria. Hoxha dhe Asani kombinojnë bukur në zonë, por sulmuesi i djathtë nuk ia del të shënojë. Pritje e shkëlqyer e poritierit Ospelt.

26’- Kombinime të bukura në hyrje të zonës. Asani provon një pasim për Brojën, por ndalet në momentin e fundit.
25’- Asllani nis një korridor për Asanin, me pasimin që nuk është i saktë.
22’- Provon Nedim Bajrami nga goditja e dënimit, por topi përplaset në murin mbrojtës. Në të njëjtin aksion, tenton edhe Hoxha nga jashtë, por pret me lehtësi portieri.




20’ – Mundësi shumë e mirë për Shqipërinë, me Armando Brojën që fiton një goditje dënimi në hyrje të zonës.
19’- Provon edhe Mitaj me një gjuajtje në hyrje të zonës, me topin që devijohet dhe pret pa probleme portieri Ospelt.
14’- Shqipëria i afrohet golit me Kristjan Asllanin. Mefushori merr një top të bukur nga Bajrami, gjuan fortë, por topi gjen rrjetën e jashtme.
11’- Aksion i rrjedhshëm dhe i shpejtë për kuqezinjtë, me Asanin që lëviz bukur nga e djathta dhe pasi kalon një nga kundërshtarët, hedh një krosim në zonë, por nuk shfrytëzohet nga asnjëri prej sulmuesve.

7’- Mundësi e artë shënimi për Shqipërinë! Klaus Gjasula, shpërdoron një penallti në lëvizje, duke gjuajtur mbi traun e portës.

6’- Presing i lartë i Shqipërisë në minutat e para, por ende mungojnë rastet e rrezikshme.
4’- Ndërhyrje e ashpër e Meier ndaj Asllanit, arbitri këshillon lojtarin e Lihteshtejnit.
0′ – Starton sfida!







Redaksia Tvklan.al