Policia Ndërtimore ka nisur aksionin për prishjen e 40 objekteve pa leje në segmentin turistik Vlorë- Orikum. Aksioni ka ngjallur reagimin e pronarëve të këtyre ndërtesave. Zëvendësministri i Turizmit Artan Lame, i cili ka drejtuar aksionin, ka deklaruar se do të prishen të gjitha ndërtimet pa leje dhe nuk do të tolerohet askush që ka ndërtuar apo do të ndërtojë pa asnjë lloj dokumentacioni.
Artan Lame: “Pra kjo është faza e parë, nuk dua që të merret se ne po vijmë t’i godasim pa asnjë lloj kriteri. Problemi i dytë, që është dhe shumë i rëndësishëm, ka të bëjë me çështjen që në këtë zonë ku ne jemi, përveç objekteve që janë shfrytëzuar si lokale, ka edhe shumë banesa. Goditja e tyre edhe ajo është e lidhur me problemet sociale që do të hapte dhe që pavarsisht se ato janë evidentuar të gjitha, në këtë moment nuk u ndërhy në prishjen e banesave pikërisht për të mos pasur probleme me popullsinë.”
Ky aksion, i cili ka nisur dy ditë më parë, do të shtrihet më pas në segmentin Orikum- Butrint ku janë identifikuar rreth 100 objekte të paligjshme. /tvklan.al