Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Procesi gjyqësor për të akuzuarit si fajtor për tragjedinë e 9 Janarit, pritet të çelet të martën në gjykatën e Vlorës. Hetimet për këtë dosje me 9 të akuzuar të arrestuar dhe 7 të tjerë në kërkim, përfunduan rreth një muaj më parë. Akuza është organizimi me qëllim përfitimi të kalimit të paligjshëm të kufirit.

Tragjedia e 9 Janarit në detin Jon shkaktoi të paktën 21 viktima dhe një numër tjetër konsiderohet ende të humbur. Viktimat ishin kryesisht nga rrethet veriore të vendit dhe për shkak të varfërisë së skajshme, kishin zgjedhur të largoheshin në mënyrë klandestine, nëpërmjet detit Jon nëpërmjet Italisë.

Ndërhyrja e vonuar dhe moti i keq shkaktuan tragjedinë, ku ndër viktimat ishte dhe njëri prej skafistëve të mjetit lundrues. Ndërkohë grupi shqiptar për të drejtat e njeriut ka hapur një tjetër proces në Tiranë, ku palë janë edhe familjarët e viktimave të kësaj tragjedie. I paditur është Këshilli i Ministrave për vendimin që ka marrë lidhur me dëmshpërblimin e familjarëve të viktimave./tvklan.al