Ky është vendi në portin e Shëngjinit, ku do të zbarkojnë refugjatët që do të kapen në det nga autoritetet italiane sipas marrëveshjes së miratuar mes dy vendeve.
Zona ku do jetë qendra pritëse është rrethuar dhe punimet kanë nisur. Drejtori i portit të Shëngjinit, Sandër Marashi thotë se ndërtimi i kësaj qendre nuk pengon punën e tyre të përditshme.
“Sipërfaqja e kërkuar nga pala italiane është 3 900-4 000 metra katror brenda territorit të portit”, tha ai.
Refugjatët e parë pritet që të zbarkojnë në port në muajin Maj.
“Diku nga mesi ose fundi i Majit pritet që të vijnë”, u shpreh Marashi.
Nga godina pritëse në portin e Shëngjinit, emigrantët e paligjshëm do dërgohen në Gjadër, aty ku javën e kaluar ka nisur puna për ndërtimin e dy qendrave akomoduese.
Kampi në Gjadër do të jetë i rrethuar me një mur 7 metra të lartë për të garantuar sigurinë e banorëve përreth. Aty do të mund të qëndrojnë deri në maksimumi 3 mijë persona. Investimet që po kryhen janë të gjitha kosto e qeverisë italiane.
Tv Klan