Çështja e përcaktimit të listës së vendeve të sigurta apo jo prej nga vijnë emigrantët që duhet të strehohen në Gjadër ka mbetur ende pezull. Gjykata e Kasacionit në Itali, në vendimin e zbardhur i ka dhënë të drejtë qeverisë Meloni, duke shprehur qartë se ky vendim i përket ministrave dhe se ajo nuk zëvendësohet nga vlerësimi i gjyqtarit të çështjes.

“Për përcaktimin e vendeve të sigurta, gjyqtari, i cili garanton, në shqyrtimin e çështjes individuale, efektivitetin e të drejtës themelore për lirinë personale, nuk zëvendëson vlerësimin që në përgjithësi është përgjegjësi vetëm e ministrit të Punëve të Jashtme dhe ministrat e tjerë të pranishëm në qeveri.”

Ky argumentim vjen pas ankesave të paraqitura nga qeveria italiane. Në raste emigrantët e ardhur në Gjadër nga vende të ndryshme të Lindjes u kthyen mbrapsh në Itali, pasi gjykata e cilësoi shkelje të të drejtave të njeriut.

Sakaq Gjykata e Lartë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për çështjen e përcaktimit të vendeve të sigurta, duke “pezulluar çdo masë” në pritje të vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian. Një vendim që pritet të merret me 25 Shkurt.

Vetë Meloni në një deklaratë të bërë së fundmi, theksoi se duke nisur nga Janari i vitit të ardhshëm do të ketë të tjera grupe emigrantësh që do të vijnë në Shqipëri, duke theksuar njëherësh se kundër paktit të firmosur me qeverinë Rama qëndron mafia.

Klan News