Parashikohet të dëshmojnë edhe disa prej drejtuesve të institucioneve
Nis punën Komisioni Hetimor për zgjedhjet, Rama dhe disa nga ministrat e tij pritet që të dëshmojnë
Ka zhvilluar mbledhjen e parë Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Kryetar i këtij komisioni është zgjedhur Enkelejd Alibeaj, i cili prezantoi këtë të hënë planin paraprak të hetimit të Komisionit Hetimor. Alibeaj citoi objektin që do të ndjekë veprimtarinë e komisionit dhe janë 4 pika.
“Objekti i punës së komisionit hetimor është:
1. Verifikimi i përdorimit të të dhënave personale për qëllime elektorale;
2. Verifikimi i përdorimit të fondeve publike për qëllime elektorale, duke përfshirë edhe shpërblimin e dëmeve nga tërmeti i vitit 2019;
3. Verifikimi i përdorimit të procesit të legalizimeve të ndërtimeve informale për qëllime elektorale;
4. Verifikimi i punësimeve në administratën publike për qëllime elektorale”, tha Alibeaj.
Alibeaj renditi detyrat dhe veprimet e komisionit. Parashikohet që Komisioni Hetimor përveç marrjes së informacioneve zyrtare, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të përdorë të gjitha metodat e hetimit të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, përfshirë këqyrjen, kontrollin apo sekuestrimin e akteve pranë institucioneve përgjegjëse.
Nga ana tjetër, në kuadër të analizës së plotë mbi këtë çështje, Alibeaj tha se është parashikuar që të thirren për të dëshmuar në Komisionin Hetimor disa nga funksionarët më të lartë të vendit, ndër ta edhe Kryeministri Edi Rama.
Po ashtu parashikohet që të thirren ministrat e qeverisë Rama, Arben Ahmetaj, Bledi Çuçi, Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu, Frida Krifca, kryebashkiaku Erion Veliaj, kryetarja në detyrë e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, drejtuesi i SPAK Arben Kraja, Kryeprokurori Olsian Çela, ish-drejtori i Policisë Ardi Veliu, drejtori i Policisë Gledis Nano, drejtuesi i Kadastrës, Artan Lame, dhe një sërë drejtuesish të tjerë të disa prej institucioneve në vend, por edhe përfaqësues të mediave.
Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit duhet që ta mbyllë punën më 14 Janar. Prandaj, Alibeaj tha se është parashikuar që shqyrtimi përfundimtar dhe nxjerrja e konkluzioneve të hetimit të kryhet deri në datën 5 Janar dhe një javë më pas më 12 Janar të bëhet prezantimi i raportit final. Gjatë kësaj periudhe do të realizohet mbledhja e dokumentacionit, shqyrtimi i provave, pyetja e dëshmitarëve dhe analizimi i akteve dhe dokumenteve.
Por kjo seancë e parë u shoqërua me disa debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. Zv/kryetari i komisionit, Toni Gogu tha se nuk mund të fillohet veprimtaria pa u zgjedhur sekretarit të komisionit.
“Nuk mundet të nxitojmë duke shkelur rendin e ditës, kur ne kemi kërkuar që të caktojmë sekretarin e komisionit. Nuk e kuptoj çfarë nxitimi keni ju ku doni të digjini fazat procedurale. Si mundet të procedojmë ku ne nuk po votojmë”, tha Gogu.
Kryetari Alibeaj tha se miratimi i sekretarit do të bëhet në mbledhjen e ardhshme, më 20 Tetor. Në të njëjtën ditë pritet që të miratohet edhe rregullorja e Komisionit Hetimor./tvklan.al