Deputetja e PD-së, Albana Vokshi thotë se sipas saj, qëllimi i mazhorancës është dështimi i Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi. Në një deklaratë për mediat, Vokshi bën me dije se kanë dorëzuar një kallëzim penal në SPAK për Plarent Ndrecën, Genci Gjonçajn dhe punonjësit e Gradës për “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim.

Albana Vokshi: Para 1 jave i kemi parashtruar disa kërkesa Spiropalit që të fillojë procedurën paralmentare për zëvendësimin e kryetarit dhe nënkryetarit që kanë penguar hetimin parlamentar. Të paralajmërojë 6 deputetë e tjerë që kanë penguar hetimin parlamentar, të urdhërojë lejimin e anëtarëve të komisionit hetimor që kanë marrë një përjashtim për 4 javë.

Pa 75 % të deputetëve të pranisë së opozitës, komisioni hetimor është i paplotë dhe mbledhjet janë nul sepse mungon pjesa më e madhe e kërkuesve të komisionit hetimor. Kemi kërkuar që të nisë procedurat për marrjen e masave disiplinore për deputetë, dhunues verbal, Plarent Ndreca, Ilir Metaj, Erion Braçe, si dhe të nisë procedurat për marrjen e masave disiplinore ndaj Sekretarit të Përgjithshëm për shpërdorim dhe abuzim me detyrën e tij. Në 1 javë, kryeparlamentarja nuk ka kthyer përgjigje.

Dje në orën 17:14, është bërë një njoftim për thirrje të mbledhjes së Komisionit Hetimor në mënyrë të njëanshme. Kjo kërkesë e paadresuar kryetarit të Kuvendit, pavarësisht se ligji e përcakton se është kryetari i komisionit që thërret dhe drejton mbledhjet. Ato refuzojnë të njohin opozitën në komision dhe drejtimin e këtij komisioni nga ana e opozitës.

Para pak minutash, jemi bërë me dije për përgjigjen e Spiropalit. Mbledhja është thirrur në orën 10. Kërkesat tona janë refuzuar, duke lënë komisionin hetimor peng në duart e uzurpuesve, Plarent Ndreca, Klevis Xhoçi dhe të anëtarëve të tjerë të mazhorancës në komision. Pse e ka uzurpuar Plarent Ndreca dhe deputetët e tjerë të mazhorancës? Sepse nëse shihni në kërkesën e firmosur nga deputetët e mazhorancës, njëri prej dëshmitarëve që sot do të dëshmojë në këtë mbledhje të njëanshme pa dakordësi, është Arben Gjata.

Ju kujtohet që Plarent Ndreca ka qenë avokati i Arben Gjatës? Është paraqitur disa herë në SPAK për ta mbrojtur Gjatën. Avokati sot do të marrë në pyetje klientin. Vërtetohet qëllimi i mazhorancës për ta dështuar këtë komsion hetimor, për të mos bërë transparencë për 200 milionë Euro të vjedhura. Qëllimi i Ramës është mbyllja sa më parë e këtij komisioni, mosbërja transparencë. Jemi të vendosur të vijojmë me transparencën e komisioneve hetimore.

Ne do të dorëzojmë dhe një kallëzim penal për Plarent Ndrecën, Genci Gjonçaj dhe punonjësit e Gardës, ku i kërkojmë SPAK-ut që në kushtet kur provohet kryerja e veprës penale “shpërdorimi i detyrës”, kërkojmë shqyrtimin e kallëzimit, regjistrimin e procedimit penal dhe dërgimin e çështjes në gjyq, të akuzuar për veprën penale shpërdorimi i detyrës në bashkëpunim. Ju sigurojmë që opozita në komision apo jashtë komisionit do i kryejë objektivat që i ka vënë vetes.


/tvklan.al