Sali Berisha paralajmëroi hetim parlamentar për Portin e ri të Durrësit, përmes së cilit ai thotë se Kryeministri Rama do i vjedhë shqiptarëve 1.3 miliardë euro.
“Do krijohet një komision parlamentar me emergjencë për këtë aferë që tejkalon çdo lloj limiti, që vjen pas bunkerëve”, tha Berisha.
Mosbindjen civile deri në plotësimin e kushtit të panegociueshëm tha se do e vijojë jo vetëm në Kuvend ku rikthehet pas një viti, por edhe në sheshe me qytetarët.
“Nuk krijon Edi Rama qeverinë teknike, atëherë të përballet me mosbindjen civile gjer ditën para zgjedhjeve”, tha Berisha.
Berisha e akuzoi edhe në këtë dalje kreun e SPAK se fle mbi dosjet e krimit, duke i dhënë mbrojtje politike ministrave të qeverisë.
“E pse të mos i them unë atij Dumanit, superkriminel që fle mbi këto, kur Taulanti shkon e liron terroristët që i vënë tritolin Lulzim Kullës. Dhe prokuroi Vat Stafa që u ngarkua nga Taulanti për lirimin e tyre, sot është anëtar i KLP-së”, tha Berisha.
Një ditë përpara votimit në Parlament të buxhetit të ri, Berisha në takimin me tre departamentet e Ekonomisë, Financave Publike dhe Sipërmarrjes të Partisë Demokratike tha do të paraqesin 34 amendamente.
“34 amendamente, departamente dhe grupi i deputetëve kanë bërë një punë shumë të mirë. Kanë krijuar kuadrin ligjor të ardhshëm të emergjencës, i cili do votohet në muajt e parë të qeverisjes së PD në mënyrë që mënyrë që të bëjmë gjithçka për të kapur 12 vitet e humbura, 12 vitet më të dhimbshme, 12 vite rrokullisje.”
Ai theksoi se varfëria dhe mjerimi janë një emergjencë kombëtare në Shqipëri, ku përballen 46% e shqiptarëve.
Tv Klan