Qeveria ka nisur para afatit të përcaktuar shpërndarjen e bonusit të fundvitit për pensionistët. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja, i cili përmes një komenti në rrjetet sociale njofton se shpërblimi për pensionistët mund të tërhiqet në çdo pikë të Postës Shqiptare apo Bankat e Nivelit të Dytë deri në Qershor të vitit 2025.

Deri në orët e para të kësaj të hëne ai bëri të ditur se ishin shpërndarë mbi 20 mijë bonuse, nga të cilët afro 14 mijë me vlerë 15 mijë lekë dhe rreth 6 mijë të tjerë me vlerë 10 mijë lekë.

Në total qeveria ka parashikuar të shpërndajë afro 100 milionë Euro për 724 mijë pensionistë si shpërblim për fundvitin.

Sipas vendimit të qeverisë 511 mijë prej tyre që e kanë pensionin nën 20 mijë lekë në muaj do të marrin 15 mijë lekë bonus dhe 213 mijë të tjerë që e kanë pensionin mbi 20 mijë lekë do të marrin 10 mijë lekë shpërblim.

Përveç bonusit të Dhjetorit, qeveria ka parashikuar edhe një tjetër shpërblim për pensionistët në pranverë.

Vlera e tij nuk është përcaktuar ende, pasi sipas ministrit të Financave, çdo gjë do të varet nga performanca e ekonomisë.

Tv Klan