Qeveria do të vazhdojë të mbështesë pensionistët me bonuse periodike ndërkohë që po vijon diskutime me ekspertë të huaj dhe vendas për të ndryshuar disa aspekte të skemës aktuale të pensioneve që Kryeministri pranon që ka qenë e suksesshme në 11 vite që aplikohet.
“Duke rindërhyrë në sistemin e pensioneve, duam që të bëjmë një akselerim pa prishur në asnjë mënyrë themelet që ka sistemi”, tha Rama.
Ministri i Ekonomisë gjithsesi e pranon se dhënia e 2 bonuseve në vit nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë.
“Duhet një zgjidhje afat-gjatë dhe në afat-gjatë nuk është as e qëndrueshme”, deklaroi Gonxhe.
Por Kryeministri nuk duket të jetë nën presionin e kohës dhe garës së ardhshëm elektorale për të bërë premtime për rritje të pensioneve siç po bën opozita. Ai thotë se skemat e pensioneve marrin kohë për tu rishikuar.
“Reformimi i skemës së pensioneve është maratonë nuk është sprint. Të gjithë ata që nuk kanë asgjë në dorë, premtojnë gjithçka të dëshirueshme dhe të imagjinueshme, mirëpo të premtosh gjithçka të dëshirueshme dhe të imagjinueshme për pensionet, do të thotë t’i hapësh luftë fakteve. Do të thotë t’i kthesh kurrizin ekspertëve, ekspertizës, eksperiencës dhe të hidhesh symbyllur drejt një humnere; do të thotë që hajde të bëjmë një ditë festë me gjithçka kemi dhe pastaj nesër le të bëhet qameti”, theksoi Rama.
Fushata e komunikimit e zhvilluar vjeshtën e shkuar sipas Ramës ka dhënë efekte dhe ka një ndërgjegjësim të bizneseve për të bërë deklarimin e pagave reale të punëmarrësve.
“Është konstatuar në deklarimet e fundit të pagave një rritje e pagave të deklaruara dhe kontributeve, por ka akoma shumë hapësirë ”
Informaliteti dhe deklarimi i pagave joreale u ngrit si shqetësim dhe nga drejtorja e Bankës Botërore për Europën Juglindore, që ka ndikim direkt tek skema e pensioneve.
“Skema e pensioneve të 2014 e ka përmirësuar ndjeshëm skemën e pensioneve, por emigrimi, informaliteti shumë i lartë dhe nën deklarimi i pagave po dëmton pensionet. Pensionet private duhet të kenë patjetër një rol plotësues, të jenë shtesë”, tha Xiaoqing Yu drejtore e Bankës Botërore për Europën Juglindore.
Aktualisht janë 826,928 kontribuese në skemë e pensioneve të ardhurat e të cilëve përbëjnë 6.73% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Tv Klan