Teksa në Gjykatën Kushtetuese ka nisur shqyrtimi i padisë së bërë nga demokratët për Portin e Durrësit, opozita kërkoi nga togat e zeza vendosjen në vend të kushtetutshmërisë për atë që e cilëson një ndër aferat më të mëdha të qeverisë.

Në fund të dhjetorit deputetët e opozitës depozituan në Kuvend edhe një kërkesë për ngritjen e një komisioni hetimor për kontrollin dhe ligjshmërisë në procedurat e miratimit të projektit “Marina dhe Jahtet e Durrësit”.

Ky komision do të ketë për objekt të veprimtarisë së tij prishjen e kontratës me kompaninë gjermane EMS, shitjen e koncesionit te kompania kroate Schapha, si dhe projektimin e ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano.

Partia Demokratike thotë se shoqëria që do të realizojë projektin u përjashtua nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin social, ndërsa shteti shqiptar ka ofruar një sipërfaqe prej 818 mijë metrash katrorë, me një vlerë tregu mes 449 milionë dhe 728 milionë eurosh, por përllogaritet të përfitojë vetëm 280 milionë euro.

Sipas selisë blu, ligji i jep disa të drejta dhe privilegje operatorit ekonomik privat, pa asnjë lloj gare dhe konkurrence.

Tv Klan