Sot në Komisionin e Ligjeve palët politike diskutuan për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që ‘lehtësojnë’ votën e diasporës. Së pari, mazhoranca propozoi që të rritet tavani i financimit për partitë politike dhe po ashtu të lejohet vetëfinancimi i kandidatëve në lista.

“Do jetë financim i vetë kandidatit, jo më shumë se 3 milion, të plotësojë formularët dhe t’i dorëzojë në KQZ. Kështu është përgjegjësia individuale, jo e partisë. Kandidatët e listës të partive politike, që është regjistruar si subjekt zgjedhor ka të drejtë të vetëfinancojë fushatën jo më shumë se 3 milion lekë. Deklarimi i këtij financimi paraqitet nga vetë kandidati pranë KQZ-së. Në përputhje me modelet e miratuara nga KQZ, shkelja e dispozitës parashikon sanksione. Hapësirë për kandidatët në lista është propozimi i mazhorancës dhe ta integrojmë në këtë draft”, tha Damian Gjiknuri.


Sa i takon kësaj pike, gjeti dakordësi te opozita.

“Barazia e votës qoftë strikte apo proporcionale lidhet direkt me të drejtën e shprehjes, pjesë e së cilës është ajo e financimit. Korniza ligjore s’është në përputhje me ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Ai person sot nuk ka të drejtë të flasë, t’i dëgjohet zëri si njeri me program dhe gjithashtu sa kohë korniza financiare ja pamundëson sigurisht është handikap ligjor që e zbeh këtë të drejtë që kanë fituar. E drejta primare është për t’u shprehur në mënyrë të lirë, kjo është e rëndësishme”, iu përgjigj Oerd Bylykbashi.

Ndërkohë, vijuan përplasjet për mënyrën si do votojnë shqiptarët jashtë Shqipërisë. PD insiston që të votojnë edhe ata me dokumente biometrike të vendit ku jetojnë, ndërsa kjo gjë kundërshtohet nga socialistët.

“Ne e arsyetuam propozimin tonë, këtu dëgjova mos arsyet pse s’duhet votuar. Na qenka antikushtetuese! E vetmja gjë që mungon në këtë dokument, është numri i identitetit personal. Sa kohë këto të dhëna janë unike dhe fotografia i korrespondon, nuk ka diskutim që është shtetas shqiptar, ju thoni ju po s’pat paguar. Teknikisht bëhet, politikisht ju nuk doni t’i lejoni! Kodi Zgjedhor ka 0 referencë tek dokumentet e lëshuara nga Republika e Shqipërisë, teknologjia e mundëson identifikimin. Brenda afateve duhet të kenë të drejtën e votës!”, theksoi Bylykbashi.


Për deputetin demokrat Dashnor Sula është e “turpshme që nuk është zgjidhur ende ky problem”, teksa na ndajnë 3 muaj nga zgjedhjet parlamentare.

Kujtojmë se më 4 Mars përfundon afati i aplikimit të diasporës në KQZ dhe më 9 Mars publikohet lista e atyre me të drejtë vote.

E.D/tvklan.al