Dy tunizianët e parë janë riatdhesuar nga Italia duke i hapur rrugë procedurat e përshpejtuara. Kryeministrja Giorgia Meloni mblodhi në zyren e saj në Palazzo Chigi ministrin e Brendshëm, Matteo Piantedosi, zëvendëskryeministrin dhe ministër të punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani dhe Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto.
Më në fund, Ministria e Brendshme arriti të riatdhesojë me procedura të përshpejtuara kufitare dy emigrantët e parë të parregullt. Ky rast është lajm inkurajues për qeverinë italiane, e cila me 4 muaj vonesë se njoftimet e para, po përgatitet që të hapë dy objekte për menaxhimin e azilkërkuesve afrikanë në Shëngjin dhe në Gjadër. Ardhjet e para në brigjet shqiptare priten në fund të muajit shtator. Dy të riatdhesuarit e parë, tunizianët, ishin strehuar gjatë kësaj periudhe në qendrën e azilkërkuesve në Porto Empedocle, provincë e Agrigento-s.
Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi tha se procedurat e përshpejtuara të riatdhesimit të azilkërkuesve janë një mjet efektiv për të luftuar imigracionin e parregullt.
Ato u prezantuan me dekretin Cutro vitin e kaluar dhe lejojnë një shqyrtim të shpejtë të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare për azilkërkuesit që vijnë nga vende të sigurta për një periudhë maksimale prej 28 ditësh, në fund të së cilës ato duhet që të riatdhesohen ose pajisur me leje qëndrimi në Itali.
Në gusht, një strukturë e veçantë u ngrit në Porto Empedocle për të ndaluar pikërisht këtë lloj emigrantësh në thelb meshkuj shtetas tunizianë, të destinuar për procedura të përshpejtuara kufitare.
Një model të ngjashëm qeveria Melon po synon ta kopjojë në Shqipëri, duke llogaritur në riatdhesimin brenda 28 ditëve pa prekur tokën italiane, në rastin e mohimit të azil. Puna në këto dy qendra në territorin shqiptar ku përfshihen inxhinierët ushtarakë italianë – është tani në fazën përfundimtare. Objekti në Portin e Shëngjinit është gati. Vonesat kishin të bënin me ish-bazën e Forcave Ajrore shqiptare në Gjadër ku u ngritën tre institucione të ndryshme: një qendër pritje me 144 vende, një qendër për strehimin e azilkërkuesve me 880 vende, dhe një burg me 20 vende.
Ky sistem do të jetë plotësisht funksional deri në fund të muajit.
Klan News