Pas Betimit si Presidenti i ri i Republikës në Kuvend, Ilir Meta iu drejtua Presidencës, ku u prit në një takim kokë më kokë nga Presidenti në largim, Bujar Nishani.

Në fjalën e mbajtur në Presidencë, Meta tha se kishte një vlerësim të veçantë për Presidentin Nishani, për qetësinë që e karakterizoi gjatë ushtrimit të detyrës dhe për qëndrimin e ekuilibruar.

Meta tha se mbetet besnik i palëkundur i dialogut dhe konsensusit, edhe pas marrjes së detyrës së kreut të shtetit. 

Përvoja politike më inkurajon të them sot se gjithnjë ia ka vlejtur për të gjetur dhe eksploruar se çfarë na bashkon, si dhe për të bërë lëshimet dhe kompromiset e domosdoshme për hir të mbarësisë kombëtare. Dua t’ju afirmoj sërish se jam besnik i palëkundur i dialogut dhe konsensusit si gjuha e vetme e suksesshme e politikës, si filozofi që ndërton mirëkuptim, bashkim mes qytetarëve dhe mirëqenie. Demokracia është jetike për një vend si yni, të cilit i rëndon një e shkuar totalitare 50-vjeçare, ku liritë dhe të drejtat themelore të njerëzve u asgjësuan në emër të popullit.

Ai tha se “

të jesh në krye të këtij shteti, që ia ka dalë t’u japë shqiptarëve këtë histori të denjë, është më shumë se përgjegjësi para Kushtetutës, është përgjegjësi para historisë së qytetërimit të këtij vendi, popullit e kombit.”

Meta tha se shqiptarët kanë zgjedhur me bindje rrugëtimin eeuropian dhe se personalisht, që nga lëvizja studentore në 90-ën ka qenë mbështetës i palëkundur i këtij rrugëtimi. “

Si President i Republikës do të mbështes dhe inkurajoj çdo reformë që përshpejton anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Meta tha se nuk mund të ketë një demokraci të shëndetshme dhe funksionale pa një shoqëri civile të fuqishme dhe bëri thirrje për dialog me botën akademike, për të mundësuar ‘Shqipërinë Europiane’.

Meta e mbylli fjalën e tij duke cituar Papa Françeskun, i cili në mesazhin e urimit i kishte shkruar: “

Lutem që për të gjithë shqiptarët të ketë bekime hyjnore për paqe dhe prosperitet.”

Më herët, Meta mori Kushtetutën e Shqipërisë nga kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, ndërsa Garda e Republikës parakaloi para të ftuarve në ceremoninë e ndërrimit të kreut të shtetit.

Në nisje të ceremonisë në Presidencë, u dëgjuan 21 të shtëna me top. /tvklan.al