Kundërshtia e kryebashkiakut te Durrësit, Vangjush Dako ndaj ngritjes se portit te peshkimit ne Porto Romano dhe deklarata e tij për te zhvilluar një referendum lokal lidhur me këtë çështje ka shkaktuar polemika te reja mes pushtetit lokal, Ministrisë se Mjedisit dhe Shoqatës se Peshkatarëve.
Ne një dalje publike ne ambientet e bashkisë së Durrësit, Dako ka prezantuar demet qe sipas tij sjell projekti i hartuar nga Ministria e Mjedisit. Si zgjidhje për këtë ai ka propozuar votimin ne komunitet.
Vangjush Dako: “Jemi kundra për arsye sepse do të kemi një mjedis shumë të rënduar në gjithë atë zonë. Do të kemi një rritje të fluksit të trafikut sidomos në periudhën e beharit, në periudhën e sezonit turistik. Mbas shumë bisedimeve, shumë konsultimeve që kemi bërë me qytetarët ndoshta kalojmë dhe në një formë më të madhe, më të hapur të demokracisë, në atë të referendumit popullor që të shprehet vetë qyteti për ndërtimin e kësaj vepre kaq të madhe”.
Duke i cilësuar pretendimet e kryebashkiakut te Durrësit për impaktin qe do te ketë ne mjedis porti i ri peshkimit, ministria e linjës ka akuzuar Dakon për vënien e interesave te ngushta politike mbi ato te qytetareve.
Aleksandër Garuli: “Porti i peshkimit ndërtohet i gjithi në det pa penguar asnjë investim, perspektivë të qytetit, krejt përkundrazi dallgëkthyesi i tij ndihmon në ndërtimin e portit të jahteve. Një nga argumentet që ngre kryetari i bashkisë. Problemet mjedisore për të cilat u shqetësoka kryetari i bashkisë i kanë studiuar specialistët vendas dhe të huaj që njohin këto probleme shumë më mirë se ai. Ideja e kryebashkiakut për referendum qytetarësh është një lojë e keqe politike thjesht për të fituar kohë. Kushtetuta nuk lejon organizimin e referendumeve për çështje që lidhen me buxhetin dhe me financimet”.
Kundër Dakos është shprehur edhe Shoqata e Peshkatarëve.
Qemal Beu: “Po kjo bashki, po ky krah politik e miratoi projektin e portit të peshkimit. Se ku do dali kryetari i bashkisë me këto justifikime nuk e di, por do përballet me mijëra peshkatarë”.
Vendimi për ndërtimin e portit është shtyre disa here nga KRT-ja e Bashkisë se Durrësit. Behet fjale për një projekt qe kap vlerën e 15 milionë dollarëve, i parashikuar te ndërtohet ne afërsi te shëtitores Taulantja, ne kalatën numër 0 te Portit te Durrësit./tvklan.al