Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, u gjet fajtor nga Gjykata e Posaçme për “shpërdorim të detyrës” në dy raste dhe u dënua me 4 vite heqje lirie.
Për shkak se u gjykua me procedurë të shkurtuar, ish-kryebashkiaku do të vuajë 2 vite e 8 muaj burg. Në zbatim të këtij vendimi, gjithashtu Dakos i është hequr e drejta për të mbajtur poste publike për 5 vite.
Bashkë me të gjykata dënoi me nga 3 vite burg për akuzën e falsifikimit të dokumenteve ish-topografin Fatmir Ejupi, ndërtuesin Fiqiri Farruku dhe Adrian Bulkun.
Të tre ata gjithashtu përfituan ulje të dënimit në 2 vite që do të shlyhet duke u paraqitur në shërbimin e provës.
Referuar Prokurorisë së Posaçme, Dako shpërdoroi detyrën në lejimin e ndërtimit të një pallati pa i dalë leja dhe në falsifikim dokumentesh, si dhe në mosmarrjen e masave në rregullimin e një gabimi të bërë në përllogaritjen e fondit limit për një projekt të Bashkisë.
Tv Klan