Për afro 1 orë, ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, u pyet nga hetuesit në funksion të dosjes për të cilën më herët është arrestuar deputeti socialist Jurgis Çyrbja.
Dako, i cili ndodhet në masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” dhe që tashmë ndaj tij rëndon edhe një dënim se ka shpërdoruar detyrën si kryebashkiak, u paraqit nën shoqërinë e një punonjësi policie.
Pak pas mesdite ai u fut në ambientet e Prokurorisë dhe doli prej andej në orën 13:00.
Në përfundim të dëshmisë zgjodhi të mos komentojë mbi sqarimet që kishte dhënë përballë hetuesve të posaçëm.
Këta të fundit vijojnë verifikimet e komunikimeve në aplikacionin Sky, përdorues i të cilit rezultoi të ishte edhe ish-deputeti Jurgis Çyrbja. Bashkë me Ahmet Mashën ai u arrestua në Tetor për akuzat e nxjerrjes së sekretit shtetëror dhe korrupsionit në zgjedhje.
Mes komunikimeve u gjetën biseda ku flitej edhe për caktimin e listave për deputet në Qarkun e Durrësit, pjesë e komunikimeve që SPAK është duke verifikuar dhe pyetur ish-zyrtarë.
Ndërkohë, ish-deputeti gjatë seancave të masës së sigurisë dhe pyetjes nga prokuroria, ka mohuar të ketë përdorur aplikacionin Sky.
Tv Klan