SPAK ka kërkuar 4 vite burg për Vangjush Dakon, por për shkak të gjykimit të shkurtuar kërkohet 2 vite e 8 muaj. Ai akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” në dy raste. Rasti i parë ka të bëjë për lejen e një pallati 7-katësh. Në dosjen e SPAK thuhet se pas lejes së parë për ndërtimin, pronari kishte aplikuar sërish për një leje për 4 kate shtesë. Por ndërkohë që leja e dytë nuk ishte zbardhur, punimet vijuan në kundërshtim me ligjin.

Në dosje thuhet se dokumentacioni i nevojshëm para nisjes së punimeve, përfshi edhe studimin sizmik, është kryer vetëm pasi pallati ishte ndërtuar dhe ishin futur banorët.

Rasti i dytë lidhet me tenderin e shëtitores së plazhit pranë Currilave. Grupi i punës i ngritur nga ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, i cili kishte detyrë të përcaktonte fondin limit për tenderin, rezulton se ka bërë gabim në përllogaritje, duke e dhjetëfishuar vlerën. Sipas SPAK, buxhetit të Bashkisë Durrës i është shkaktuar një dëm prej 18 milionë lekë.

SPAK kërkoi në seancën e kësaj të marte që topografi Fatmir Ejupi të dënohet me 3 vite burg për falsifikimin të formularëve dhe stampave. Për Fiqi Farrukun, administratorin e firmës ndërtuese, u kërkua pezullim i dënimit për shkak të moshës së thyer dhe gjendjes jo të mirë shëndetësore. Për Ardian Bulkun SPAK kërkoi dënimin me 2 vite burg në aplikim të gjykimit të shkurtuar. Por edhe për të u kërkua pezullim i ekzekutimi të vendimit.

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako u lirua nga burgu në shkurt të këtij viti për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit. Ai po hetohet nën masën e arrestit në shtëpi.

Seanca e radhës do të mbahet më 21 nëntor.

Klan News