Hoti dhe Vuçiç: Ka përparim për çështjet pezull
Tri ditë pas takimit në Washington, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç janë takuar sërish, por kësaj radhe në Bruksel. Përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrelli fillimisht ka takuar ndaras Hotin e Vuçiçin për të pasuar takimi i përbashkët trepalësh.
Në një konferencë për media, ai është shprehur i lumtur që po sheh përkushtimin dhe respektin e të dyja palëve karshi dialogut të ndihmuar nga BE-ja.
“Këto bisedime, siç mund të kuptoni nuk janë gjithmonë të lehta. Për këtë arsye jam i lumtur të shoh përkushtimin dhe respektin nga të dyja palët. Natyrisht pozicionet e tyre janë të ndryshme, por vijnë këtu sërish për të gjetur një gjuhë të përbashkët, për të punuar për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës”.
Ndërsa në deklaratën e përbashkët para takimit, Hoti e Vuçiç i konfirmuan përfaqësuesit të lartë të BE-së se prioritet i tyre është integrimi në BE dhe vazhdimi i punës në dialogun Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Janë zotuar se do të dyfishojnë përpjekjet për të siguruar harmonizim të mëtejmë me BE-në, ndërsa dokumentet e nënshkruara në Washington, sipas deklaratës së përbashkët, mund të japin kontribut në arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.
Tv Klan