Jo grindja për emrin me Maqedoninë, por zgjidhja e konfliktit e detyron Tsipras të dalë për votëbesim në parlament. Grindja për çështjen e emrit është kthyer në fantazmë të politikës greke.
Grindja ndërkohë anakronike për çështjen e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë është një relike e politikës ballkanike të orientuar nga e shkuara, në periferi të BE-së dhe shpesh ka rezultuar me turbulenca politike në të dyja vendet. Sidomos kur zgjidhja e problemit është mjaft afër, ato bëhen më të qarta. Kjo tregon se sa i vështirë bëhet formësimi i së ardhmes në Europën Juglindore.
Në mesin e vitit 2018, kryeministri grek, Aleksis Tsipras dhe homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev negociuan një kompromis, sipas të cilit Maqedonia do të merrte emrin “Maqedonia e Veriut”. Shteti i pavarur maqedonas do të kishte një emër, që sipas mënyrës greke të leximit nuk do të kishte pretendime territoriale kundrejt provincës greke Makedonia dhe trashëgimisë antike. Athina do të hapte kështu rrugën e anëtarësimit të vendit në BE dhe NATO, të dyja perspektiva stabiliteti në rajon.
Shitje e “emrit të shenjtë”
Kompromisi u miratua përfundimisht nga parlamenti maqedonas. Tani topi kalon në parlamentin grek, duhet që ai të ratifikojë marrëveshjen. Menjëherë u dëgjuan këmbanat patriotike në Athinë. Nacionalisti i rreptë dhe ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos dha dorëheqjen të shtunën për gjoja shitjen e “emrit të shenjtë” Makedonia duke hequr dorë edhe nga roli i krijuesit të mazhorancës për qeverinë e Tsipras. Kryeministri me votëbesimin do ta marrë situatën në dorë. Aritmetika e grupimeve parlamentare e bën të mundur një fitore të ngushtë për kryeministrin grek, pasi disa deputetë të ANEL-, partisë së Kamenos do të japin votën për Tsipras, megjithë prishjen e koalicionit.
Tsipras është optimist edhe për votimin në parlament të marrëveshjes me Maqedoninë. Pas kësaj mund të ketë zgjedhje të parakohshme. Për shkak se më së voni deri në tetor do të zhvilloheshin zgjedhjet e radhës, Tsipras mund të qeverisë deri atëherë me aleanca të përkohshme, që i sigurojnë mazhorancën.
Më shqetësuesja në të gjithë këtë histori nuk është mandati i shkurtuar i qeverisjes së Tsiprasit, por ashpërsia, me të cilën një pjesë e madhe e partive greke refuzojnë një zgjidhje të arsyeshme të grindjes së emrit me Maqedoninë. Ai, që sipas sondazheve, mund të jetë kryeministri i ardhshëm grek, Kyriakos Mitsotakis i partisë Nea Demokratia e refuzon këtë marrëveshje dhe kërkon të negociojë nga e para me Shkupin. Ironia e historisë: Babai i tij, ish-kryeministri Konstantinos Mitsotakis u rrëzua nga pushteti në vitin 1993, kur ishte fare pranë një marrëveshjeje për emrin me Greqinë.
Fantazma e politikës së jashtme
Edhe socialdemokratët ngrihen kundër zgjidhjes së problemit. Sikur klasa politike greke do merrte më mirë frymë, nëse do të kapej me mish e me thonj pas “çështjes kombëtare”. Ajo vetëm se tregon më qëndrime të tilla, se në një vend të tronditur nga kriza, mund të bëhet shumë mirë politikë duke përdorur fantazmën e politikës së jashtme. E që të dielën që vjen ata që jetojnë gjithmonë me të djeshmen, parashikojnë të zhvillojnë demonstrata për Maqedoninë – sigurisht për atë greke!
/Deutsche Welle