Shkrimtarja koreanojugore Han Kang është fituese e çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2024. Akademia suedeze vendosi t’i japë asaj vlerësimin më të lartë për këtë vit në fushën e letërsisë “për prozën e saj intensive poetike që përballet me traumat historike dhe ekspozon brishtësinë e jetës njerëzore”.
53-vjeçarja nga Guangju-ja është e para shkrimtare koreanojugore që merr Nobelin në Letërsi, që shoqërohet me një shpërblim prej rreth 1 milionë euro.
Vepra e saj më e spikatur është romani “Vegjetariania” i vitit 2016, i përkthyer edhe në shqip, për të cilin është vlerësuar edhe me një tjetër çmim të rëndësishëm në letërsi “Men Booker International Prize”. Ky roman, i pari i përkthyer në anglisht, trajton paragjykimin shoqëror. Autorja sjell rastin e një gruaje, e cila rebelohet ndaj normave shoqërore dhe vendos të mos hajë mish, duke shqetësuar familjen e saj se mos është e sëmurë mendërisht.
Me një karrierë letrare që nis në 1993-shin, me dhjetëra novela, tregime, poezi e ese që mbajnë autorësinë e saj, Han Kang bën pjesë tek grupi i shkrimtarëve të bibliotekës së të ardhmes, të cilët kanë vendosur që disa vepra të shkruara në vitin 2014, t’i publikojnë pas 100 vitesh në 2114.
Tv Klan