Çmimi Nobel për Letërsinë këtë vit i është dhënë Han Kang, një autore koreano-jugore.
Sipas Akademisë Suedeze çmimi jepet për prozën e saj intensive poetike që përballet me traumat historike dhe shfaq brishtësinë e jetës njerëzore.
“Ajo ka një vetëdije unike për lidhjet midis trupit dhe shpirtit, të gjallëve dhe të vdekurve, dhe në stilin e saj poetik dhe eksperimental është bërë një novatore në prozën bashkëkohore,” tha në një deklaratë Anders Olsson, kryetar i Komitetit Nobel.
Han Kang, është shkrimtarja e parë koreano-jugore që fiton çmiminNobel për letërsi. Ajo e filloi karrierën e saj në vitin 1993 me sërë poezish në një revistë ndërsa dy vite më pas u mor edhe me prozën.
Për lexuesit e huaj ajo u bë e njohur me romanin “Vegjetariania” që ka ardhur edhe në shqip .
Çmimi Nobel për letërsi shpesh pritet edhe me kritika. Në të kaluarën mospërfshirja e gjigandëve të letrës, si Leo Tolstoi i Rusisë, dhe James Joyce i Irlandës, ka bërë që shumë libradashës të shprehin kritika të forta ndaj Akademisë.
Klan News