Mjekët në spitalin e Masaçusetsit ia kanë dalë të kryejnë transplantin e parë të një veshke derri të modifikuar gjenetikisht që i është dhuruar një njeriu. Pacienti është një 62-vjeçar, Rick Slayman, i diagnostikuar me sëmundje të veshkave në fazën e fundit.
Në një deklaratë, Slayman thotë se është pacient i programit të transplantit prej 11 vjetësh. Ky nuk është transplanti i parë i veshkës për të. Në vitin 2018 atij iu dhurua një veshkë njeriu sepse vuante nga diabeti dhe tensioni i lartë i gjakut prej vitesh. Pas 5 vitesh, veshka nisi të shfaqte shenja që nuk po funksionte më dhe Slayman vijoi me dializën në 2023.
Vitin e shkuar ai u diagnostikua me një sëmundje në fazën e fundit dhe mjekët i sugjeruan që të provonte një veshkë derri.
“Nuk e pashë vetëm si një mënyrë që të më ndihmonte mua, por edhe për të sjellë shpresë për mijëra njerëz që kanë nevojë për një transplant që të jetojnë”.
Kirurgu që kreu transplantin, dr. Tatsuo Kawai, tha se organi ka të njëjtën madhësi me veshkën e njeriut. Sapo ajo u vendos në trupin e pacientit, nisi menjëherë të funksiononte dhe të kthente lëndët në urinë duke bërë sallën të shpërthente në duartrokitje.
Mjekët kanë informuar se pacienti po e merr veten dhe do të dalë shumë shpejt nga spitali.
Ky është ksenotransplanti i tretë i një organi derri te njeriu. Dy transplantet e para ishin zemra që iu vendosën pacientëve që nuk kishin asnjë mundësi tjetër. Organet u transplantuan duke ndjekur rregulla të veçanta që lejojnë përdorimin e trajtimeve eksperimentale për pacientët në gjendje të rëndë. Të dy ndërruan jetë pak javë pas transplanteve./tvklan.al